Donald Trump bën thirrje për dorëheqjen e Biden pas përmbysjes Talibane në Afganistan

16/08/2021 15:40

Ish-presidenti thotë se Joe Biden duhet të “dorëhiqet i turpëruar” për atë që lejoi të ndodhte në Afganistan.

Ish-presidenti Donald Trump i ka bërë thirrje dje pasuesit të tij të japë dorëheqjen pas tërheqjes së trupave amerikane nga Afganistani dhe marrjes së shpejtë të pushtetit nga militantët talibanë.

“Është koha që Joe Biden të dorëhiqet i turpëruar për atë që lejoi të ndodhte në Afganistan,” shkruante Trump në një deklaratë.

“Por kjo gjithsesi nuk duhet të jetë një problem, pasi ai nuk është zgjedhur në mënyrë legjitime,” shtoi Trump, duke kritikuar gjithashtu Biden për rritjen e rasteve të infektimit me COVID-19 në SHBA, për çështjen e emigracionit, ekonominë dhe politikat e energjisë.

Ai tha se tërheqja amerikane nga Afganistani do të kishte qenë “shumë ndryshe dhe shumë më e suksesshme” nëse do të kishte qenë vetë president.

“Ajo që Joe Biden ka bërë me Afganistanin është legjendare. Do të mbahet mend si një nga disfatat më të mëdha të historisë së SHBA”, shtonte Trump.

Por Biden mbronte vendimin e tij për tërheqjen e trupave amerikane, duke thënë se prezenca e SHBA atje për 20 vjet, ishte “e papranueshme”.

“Edhe një vit, edhe pesë vjet, Prezenca ushtarake e SHBA nuk do të sillte asnjë ndryshim nëse vetë ushtria afgane nuk mund të mbajë vendin e saj. Prezenca e përhershme e SHBA në luftën civile të një vendi te huaj, për mua është e papranueshme”, tha Biden të shtunën.

FOTO GALERI
1/3
Evakuimi i ambasades se SHBA ne Kabul

Top Channel