Ministria e Mbrojtjes informon në lidhje me situatën e zjarreve në vendin tonë.

Përmes një njoftimi, Ministria bën me dije se pavarësisht punës së pandërprerë në terren situata e zjarreve shfaqet ende problematike në veri të vendit.

Era ka ndikuar në përhapjen e perimetrit të zjarrit në fshatin Flet në Fushë-Arrëz, në fshatin Patalej në Lezhë, ku flakët janë në drejtim të fshatit Katund i Ri në Rubik.

Ministria njofton se përkeqësim ka edhe në Thirrë, në Mirditë dhe në Majën e Rrunës, Laku i Mollave e Laku i Thive në Kukës. Me ritëm të shtuar është edhe zjarri në fshatin Kaçni në Selishtë të Dibrës.

Fatmirësisht, momentalisht nuk ka asnjë rrezik për zonat e banuara.

Njoftimi i plotë:

Disa vatra zjarri, kryesisht në veri të vendit janë ende aktive pavarësisht punës së pandërprerë të forcave operacionale në terren, asistencës së ekpertëve nga Byroja për Ndihmë Humanitare e USAID dhe mbështetjes me helikopterët shqiptarë, holandezë e çekë nga ajri.

Situata paraqitet e normalizuar në vatrën e zjarrit në Malin e Tërbunit në Pukë, ku ende po punojnë mbi 50 forca të FA për të kryer krehjen e zonës.

Në vatrën e zjarrit në fshatin Flet, njësia administrative Blerimaj, bashkia F.Arrëz po punohet nga rreth 100 forca të FA dhe pushtetit vendor. Është ndërprerë puna nga ajri e helikopterit holandez, për shkak të telave elektrikë që ishin shumë lart dhe rrezikonin punën e tij.

Zjarri nga ana e fshatit Kryezi është vënë nën kontroll, ndërsa nga fshati Dardhë situata është më e rrezikshme dhe po punohet nga forcat për ta izoluar.

Era ka ndikuar në përhapjen e flakëve në fshatin Patalej, njësia administrative Kolsh, bashkia Lezhë. Sipërfaqja e përshkruar deri tani është 30 Ha, ndërsa është djegur rreth 15 Ha shkurre dhe pemë. Forcat e Armatosura, të policisë, ato zjarrfikëse, të pushtetit vendor dhe forca vullnetare po punojnë për shuarjen e flakëve. Zjarri për momentin nuk rrezikon banesa, por vijon përhapja e saj në Veri-Lindje të fshatit Lalm të nj.ad. Kolsh, Lezhe dhe të kufirit administrativ me nj.ad.Rubik, bashkinë Mirditë, përkatësisht në afërsi të fshatit Katund i Vjetër. Ka filluar ndërhyrja nga ajri Helikopteri Cek për izolimin e zjarrit e më pas do të ndërhyhet me forca ushtarake e bashkiake për të bërë krehjen e plotë të perimetrit të vatrës në mënyrë që të bëhet izolimi i plotë.

Përkeqësim ka situata në fshatin Thirrë, njësia administrative Fan, bashkia Mirditë, si pasojë e erës. Janë përshkuar deri tani rreth 220 ha ahe, pishe, barishte e dushq dhe janë djegur 140 ha kullota. Vatra e zjarrit është e pamundur të kontrollohet vetëm nga toka për shkak të përhapjes dhe në mbështetje të forcave të FA dhe pushettit vendor ka shkuar edhe helikopteri holandez.

Vatra e zjarrit në “Majën e Rrunës”, Laku i Mollave dhe Laku i Thive, njësia administrative Malzi, bashkia Kukës vazhdon të jetë problematike me gjithë punën e bërë nga forcat e angazhuara nga bashkia Kukës si dhe angazhimi nga ajri me helikopter . Sot po vijon puna edhe nga forcat zjarrfikëse, të shërbimit pyjor dhe forcat vullnetare. Por terreni për ndërhyrjen e forcave nga toka është i vështirë, gjë që ndërlikon izolimin e zonës.

Nuk paraqitet rrezik për banesat dhe po vijon puna për mbajtjen nën kontroll të vatrës në Qafë Murrë, njësia administrative Selishte, B. Dibër. Zjarri ka kaluar në një terren shkëmbor dhe me bimësi të pakët.

Zjarri në fshatin Kaçni, njësia administrative Selishtë bashkia Dibër, po zhvillohet me ritëm të shtuar dhe ka dalë jashtë kontrollit duke u afruar në masivin me pisha në territorin e bashkisë Klos. Zjarri po përhapet në zonë pyjore, por me intensitet mesatar, duke përfshirë rreth 20 ha. Për izolimin e zjarrit sot janë angazhuar rreth 30 forca të bashkisë Dibër, si zjarrfikës, forca pyjore, të bashkisë e vullnetare. Për shuarjen e plotë të zjarrit janë angazhuar edhe forca nga bashkia Mat.

FOTO GALERI
4/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA