Të paktën 304 viktima dhe qindra të zhdukur e mbi 1800 plagosur. Është ky bilanci tragjik pasi një tërmet me magnitude 7.2 ballë goditi Haitin të shtunën, vetëm disa ditë para mbërritjes së pritshme të një stuhie tropikale në atë vend.
Epiqendra e tërmetit ishte rreth 125 kilometra në perëndim të kryeqytetit Port-o-Prins, tha Shërbimi Gjeologjik Amerikan.
Tërmeti me një thellësi rreth 10 kilometra që u ndje në Kubë dhe Xhamjaka është më i madh se tërmeti që goditi Haitin 11 vjet më parë, nga i cili humbën jetën dhjetëra mijëra njerëz.
Shërbimi i Mbrojtjes Civile në Haiti tha se numri i viktimave pritet të rritet, ndërsa kryeministri Ariel Henry shpalli gjendjen e jashtëzakonshme një mujore.
Ky vend i varfër, ku shumë jetojnë në rrethana të vështira, goditet shpesh nga tërmetet dhe uraganet. Në vitin 2018, Haiti u godit nga një tërmet me magnitudë 5.9 ballë që vrau më shumë se 12 njerëz dhe një tërmet shumë më i fuqishëm, me magnitudë 7.1 ballë dëmtoi pjesën më të madhe të kryeqytetit në vitin 2010 dhe u mori jetën mijëra njerëzve.
Top Channel