Pep Guardiola kundër të gjithëve. Në vitin e tij të 6-të në stolin e Manchester City-t, trajneri katalanas synon të fitojë për herë të katërt Premier League-n. Njeriu për t’u mposhtur në Angli është ai, edhe pse konkurrenca këtë sezon është shumë e fortë. Para të gjithë kolegëve, ai që synon t’i rrëmbejë spektrin është Thomas Tuchel, fitues i Champions League-s, pikërisht në finalen kundër City-t të Guardiolës, në fund të majit, dhe i Superkupës Europiane, pas finales së fituar me penallti, të mërkurën e shkuar, kundër Villarealit.
Gjatë kampionatit të kaluar, që nga janari në qershor, kur zëvendësoi Lampardin, Tuchel fitoi 11 ndeshje nga 14, duke e mbyllur me vend të katërt me Chelsea-n. Ky është sezoni i tij i parë anglez që nis që nga fillimi. Objektivi i deklaruar është për të sjellë sërish titullin në “Stamford Bridge”, pas 4 vitesh agjërimi, ku për herë të fundit Premier League-n e fitoi Conte në vitin 2017-ën.
Guardiola duhet të ruhet edhe nga një gjerman tjetër, Jurgen Klopp, i vetmi trajner që ia doli që me Liverpulin e tij një vit më parë të thyente diktatin e Citizens. Klopp tanimë është një veteran në Premier. Arriti aty në tetorin e 2015-ës dhe që atëherë ka çuar Liverpoolin në elitën e futbollit europian, duke fituar një titull kampion pas 30 vitesh mungese dhe sidomos Championsin në 2019-ën. Sezoni i “The Reds” vitin e kaluar ishte jo dhe aq i mirë, pasi e mbylli me plot 17 pikë distancë nga skuadra e Guardiolës.
I fundit nga 4 trajnerët që të paktën në letër janë gati të luftojnë për titullin është Ole Solskjaer. Norvegjezi duhet të demonstrojë se është me të vërtetë një trajner i nivelit të lartë. Pas epokës së shenjuar nga triumfet e Alex Fergusonit me titullin e fundit në 2013, Manchester United ka provuar jo pak, nga Moyes e Van Gaal e deri te Murinho, pa mundur të kthehet lider në Angli.
Pas vitit të parë të mbyllur në vendin e 6-të, Solskjaer ka shënjestruar një vend të tretë dhe një të dytë, duke konfirmuar një rritje gjithsesi domethënëse që pret vetëm certifikimin e titullit.
Premier League këtë vit shikon rikthimin në Angli të Rafa Benitez, gjithmonë në Liverpool, ku kishte jetuar sezone të lumtura, por këtë herë në stolin e Evertonit. Por Rafa duket se e ka humbur prej vitesh prekjen magjike, aq sa trofetë e fundit të fituar nga spanjolli datojnë në vitin 2014, kur në stolin e Napolit fitoi Kupën e Italisë dhe Superkupën. Tek Evertonin, askush nuk i kërkon titullin, por ka si objektiv një vend në Champions.
Në vitet e fundit, Leicesteri i Brendan Rodgers nuk ka arritur për një fije të kualifikohet në Champions, takim ku mungoi për vetëm një pikë vitin e kaluar, për katër pikë dy vjet më parë, dhe gjithmonë vendi shkoi në favor të Chelseat. Rodgers konsiderohet nga shumëkush një trajner i aftë të rritë akoma nivelin e tij dhe ky mund të jetë viti i duhur.
Ka shumë kuriozitet edhe përreth Leeds të Marcelo Bielsas, që me 66 vitet e tij është edhe trajneri më i moshuar i Premier League-s. Sezonin e kluar Leeds e mbylli me një vend të 9-të shumë dinjitoz, ndërsa tani ambiciet janë rritur. Pritet në kampionat edhe Patrick Viera në eksperiencën e tij të parë në Angli si trajner pas trevjeçarit të mbyllur me pushimin nga puna te Nice.
E nëse skocezi David Moyes bëri një punë të mirë me West Hamin, ku e mbylli në vendin e 6-të vitin e kaluar dhe gëzon shumë besim në anët e “Queen Elisabeth Stadium”, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për portugezin Nuno Espirito Santo, që praktikisht i ngeci Tottenhami nga bashkatdhetari i tij Jorge Mendes, pasi Spursat kishin kthyer pas Genaro Gattuson.
Në fund edhe disa kuriozitete: trajnerët më të rinj të Premier League-s janë dy spanjollë, 39-vjeçari Mikel Arteta i Arsenalit dhe 40-vjeçari Francisco Munoz Xisco, që riktheu në Premier League Watfordin pas vetëm një viti në Championship. Të huajt, në stolat e Premier League janë plot 14 dhe vetëm 3 trajnerë janë anglezë apo më mirë të themi britanikë, në asnjë kampionat tjetër europian prezenca e trajnerëve të huaj është kaq masive.
Top Channel