Rritja e frikshme e rasteve me covid/ Kosova ashpërson masat: Duhet certifikatë vaksinimi për të shkuar në dasma

12/08/2021 17:41

Kosova ashpërsoi masat kundër covid pasi prej ditësh po sheh një rritje shqetësuese të rasteve me koronavirus ku vetëm në 24 orët e fundit u regjistruan mbi 1000 të infektuar.

Masat të cilat do të jenë në fuqi nga 20 gushti deri më 10 shtator theksojnë vendosjen e detyrueshme te maskës në çdo ambient të brendshëm, ndërsa do të hyjnë në fuqi edhe certifikatat e vaksinimit për të aksesuar klubet e natës, dhe evenimentet që i kalojnë mbi 100 persona.

Në vendim qartësohet se hyrja në klubet e natës dhe ahengjet familjare do të bëhet vetëm nëse dëshmohet për certifikatën e vaksinimit të plotë ose marrjen e një doze të vaksinës kundër COVID-19 apo testin negativ, jo më të vjetër se 72 orë.

Tjetër dëshmi është nëse personi e ka kaluar virusin COVID-19 në 180 ditët e fundit. Ndërkohë, këtyre subjekteve iu lejohet puna deri në orën 03:00 të mëngjesit.

Po ashtu të gjithë qytetarët e huaj që hyjnë në Kosovë, përfshirë edhe ata me leje qëndrim të përkohshëm ose të përhershëm dhe që vijnë nga vendet me rrezik të lartë duhet të kenë test PCR negativ për COVID-19 të bërë në 72 orët e fundit, përjashtim bëjnë vetëm ata të cilët do të qëndrojnë 3-5 orë në Kosovë, si kalim tranzit.

Një masë tjetër është edhe sigurimi i distancës në të paktën 1 metër në restorante dhe kafene dhe funksionimi i tyre në 50 përqind në ambiente e brendshme, ndërsa në ato jashtë në 70 përqind.

Qeveria e Kosvës argumentoi se masat për ruajtjen e shëndetit publik dhe mbrojtjen nga COVID-19 janë vërtetuar si të domosdoshme për të kufizuar transmetimin e COVID-19 dhe për të zvogëluar vdekjet.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se në të ardhmen nuk përjashtohen masa më rigoroze në rast se situata nuk ka përmirësime.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA