Kalimi i Lionel Mesit nga Barcelona te Paris SG u zyrtarizua që ditën e martë, duke shënuar edhe transferimin më të bujshëm të kësaj vere në botën e futbollit. Pavarësisht parave të investuara sigurisht për nga pesha dhe rëndësia askush nuk mund të krahasohet me futbollistin e famshëm argjentinas, as Jack Grealish as Romelu Lukaku dhe as Harry Kane, natyrisht gjithmonë nëse sulmuesi i “spurs” do të largohet nga Tottenham Hotspur për t’u zhvendosur në Manchester në radhët e “sky blues”.

Mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë ndërkohë në të ardhmen me dy sulmuesit e tjerë Erling Haaland dhe Kylian Mbappe sidoqoftë transferimi i Leo Mesit te kuqeblutë pritet të shkaktojë edhe efektin e shumëpritur zinxhir, duke nxjerrë në treg një sërë lojtarësh të skuadrës pariziene. Tani në mënyrë të kuptueshme Leonardo, që mbulon detyrën e Drejtorit Sportiv të klubit duhet të mendojë për të lehtësuar kontigjentin e lojtarëve, pasi grupi që ka në dispozicion trajneri Mauricio Pochettino përbëhet nga plot 34 futbollistë.

Në fakt ishin 35 por në fundin e muajit korrik portieri Alphonse Areola që sezonin e kaluar u aktivizua në ishull te Fulham, kaloi në formë huazimi te West Ham United për edicionin e ri të futbollit anglez. Drejtuesit e Paris SG mendohet se do të shkurtojnë listën e lojtarëve të ekipit edhe me plot 9 futbollistë të tjerë, për të reduktuar shpenzimet dhe rregulluar bilancin e klubit. Krerët e klubit parizien po mundohen të gjejnë zgjidhjet e duhura për të zbutur sado pak humbjet dhe Presidenti Nasser Al-Khelaifi është i shtrënguar për të hequr dorë nga disa lojtarë, duke pasur parasysh që me afrimin e Mesit shpenzimet e pagave prekin shifrën e 300 milionë eurove.

Më datën 20 korrik e përditshmja e mirënjohur franceze L’Equipe zbuloi se krerët e Paris SG kishin informuar Drejtorinë Kombëtare të Kontrollit dhe Menaxhimit, DNCG, një organ që monitoron në mënyrë të veçantë futbollin francez, mbi objektivin e drejtuesve për të rikuperuar pak a shumë rreth 180 milionë euro nga shitja e futbollistëve, për të kompensuar në këtë mënyrë deficitin që luhatet nga 250 deri në 300 milionë euro në llogaritë e arkës së klubit. Ky ishte informacioni i atëhershëm, ndërsa tani me transferimin e Mesit është e qartë që gjithçka do të ndryshojë sërish, në këtë aspekt.

Nëntë emrat e lakuar në mediat franceze janë Thilo Kehrer, Abdou Diallo, Rafinha, Icardi, Ander Herrera, Sergio Rico, Layvin Kurzawa, Pablo Sarabia si dhe 31-vjecari Idrissa Gueye. Është e kuptueshme që tani nevojiten sakrifica në repartet e tjera të skuadrës, pasi sulmi i ekipit është i kompletuar. Kylian Mbappe ka hyrë tashmë në vitin e tij të fundit të kontratës, kështu që problemi më i madh i drejtuesve të Paris SG do të jetë rinovimi me 22-vjeçarin parizien, për të formuar kështu treshen e ëndrrave Messi – Neymar – Mbappe, për të cilën drejtuesit apo dhe tifozët e klubit kryeqytetas shpresojnë shumë që të bëjë akoma më mirë edhe se vetë treshja më e mirë që është parë deri më sot te Barca, pra Messi – Suarez – Neymar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA