Huat me probleme kanë shënuar rënie të ndjeshme në qershor, duke dëshmuar për një përmirësim të aftësisë paguese të individëve dhe bizneseve në vend.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, ky tregues zbriti në 7.12% në fund të qershorit, ndjeshëm më poshtë se krahasuar me të njëjtën periudhë të 2020-ës kur fiksohej në 8.09%. Ndërsa në raport me muajin maj, janë ulur me rreth 0.68 pikë përqindje.

Me këtë trend në rënie për të tretin muaj radhazi, kreditë e këqija kanë shënuar nivelin më të ulët që prej vitit 2008 kur raporti i tyre arrinte në 6.5%.

Huat me probleme kanë rezultuar në nivele të qëndrueshme si rrjedhojë e masave të përkohshme lehtësuese që banka qendrore ndërmori një vit më parë përmes moratoriumit për shtyrjen e kësteve të kredive për individët e bizneset e prekura nga kriza e pandemisë.

Ndikim po ashtu ka dhënë edhe zbutja e masave kufizuese në kuadër të menaxhimit të pandemisë Covid-19, duke moderuar në këtë mënyrë pasojat për sektorin bankar.

Me gjithë shifrat pozitive që raporton sektori bankar , banka qendrore prêt që raporti i kredive që nuk kthehen në afat këtë vit mund të arrijnë në 10%, në kushtet kur pandemia vijon ende dhe pasiguritë janë rritur ndjeshëm së fundmi, ku nuk përjashtohen kufizime të reja për menaxhimin e situatës.

Top Channel