‘Shumë vende të Paqësorit do të zhduken’, shkencëtarët ngrenë alarmin

10/08/2021 19:40

Ngrohja globale mbi 1.5 gradë Celsius do të jetë “katastrofike” për vendet ishullore të Paqësorit dhe mund të çojë në zhdukjen e shumë prej tyre për shkak të rritjes së nivelit të detit brenda shekullit, kanë paralajmëruar ekspertët.

Paqësori është parë prej kohësh si “sinjal alarmi” për krizën klimatike, pasi rajoni ka vuajtur nga baticat, ciklonet katastrofike, rritja e nivelit të kripës, thatësira, dhe dukuri  të tjera.

Këto kriza pritet të rriten në frekuencë dhe ashpërsi ndërsa bota nxehet.

Paralajmërimet vijnë pasi Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC) publikoi të hënën raportin e tij historik mbi ngrohjen globale, i cili tregoi se emetimet e gazrave serrë duheshin përgjysmuar për të kufizuar ngrohjen në 1.5 gradë C mbi nivelet para-industriale-një objektiv që u përfshi në Marrëveshjen e Parisit vetëm pas lobimit të qëndrueshëm nga udhëheqësit e ishujve të Paqësorit.

Raporti zbuloi se çdo 0.5 gradë C shtesë e ngrohjes globale shkakton rritje të dukshme të intensitetit dhe frekuencës së valëve të nxehtësisë, reshjeve të mëdha të shiut, thatësirave dhe ngjarjeve ekstreme të motit.

“Nëse i analizojmë me kujdes këto ndikime, ndoshta më shumë se kudo tjetër, Paqësori është më i godituri,” tha Dr Nikola Casule, ndërsa shtoi se “Ne do të shohim ngritjen e nivelit të detit  dhe kjo do të thotë që pjesë të rëndësishme të vendeve si Kiribati, Vanuatu, Ishujt Solomon, do të  bëhen të pabanueshme.”

Top Channel