Rritet besimi në ekonomi/ Muaji korrik preku nivelin më të lartë në 4 vite për bizneset, për konsumatorët i pandryshueshëm

09/08/2021 15:15

Përshpejtimi i aktivitetit ekonomik në pjesën e parë të vitit ka rritur ndjeshëm besimin në ekonomi që në korrik preku nivelin më të lartë të katër viteve të fundit.

Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë treguesi ekonomike rezultoi në 110.4% muajin e kaluar, i ndikuar së tepërmi nga besimi i biznese që pa një rritje për të gjithë sektorët.

Vlerësimet e sipërmarrjeve që operojnë në sektorin e industrie janë përmirësuar ndjeshëm pasi presin rritje të kontratave porositëse, rritje të prodhimit dhe ecuri më të mirë të punësimit në vijim.

Më optimiste janë edhe bizneset e tregtisë dhe shërbimeve që paraqesin një situatë më pozitive lidhur me ecurinë aktuale të aktivitetit të tyre, me rritje të kërkesës, por jo kaq optimiste në drejtim të pritjeve për punësim në të ardhmen.

Trend në rritje ka ndjekur edhe treguesi i besimit në ndërtim, ndikuar kryesisht nga ecuria e mirë e porosive aktuale dhe aktiviteti ndërtues, ku pozitive paraqiten edhe vlerësimet për punëismin në këtë sektor.

Ndërsa besimi konsumator pas tre muaj në rritje, ka mbetur i pandryshuar në korrik sipas vrojtimit të bankës qendrore, duke bërë që niveli i tij të qëndrojë poshtë mesatares së vet afatgjatë.

Referuar vrojtimit, konsumatorët kanë përmirësuar vlerësimet e tyre lidhur me blerjet aktuale të mëdha si apartamente apo makina si dhe parashikimet për të ardhmen.

Megjithatë, paraqiten më pesimiste pritshmëritë për situatën e përgjithshme ekonomike dhe situatën e tyre financiare, ndikuar së tepërmi nga pasiguritë që lidhen me pandeminë Covid-19, ku ditët e fundit rastet janë rritur ndjeshëm, e bashkë me to edhe pikëpyetjet mbi atë çka na prêt në vjeshtë, nëse do të përballemi apo jo me kufizime të reja.

Top Channel