Teknologjia e njohjes së fytyrës, e aplikuar deri tani në masë të vogël, është kritikuar shpesh për shkelje të privatësisë së individëve. Por në një kompani në Kinë, kjo teknologji shkon më tej. Canon China, një degë e gjigantit japonez të kamerave dhe elektronikës, do vetëm punëtorë të lumtur. Për këtë arsye, kompania ka aplikuar teknologjinë e njohjes së buzëqeshjes.

Kamera të pajisura me inteligjencë artificiale janë vendosur në hyrje të ndërtesës. Hyrja u lejohet vetëm punonjësve që arrijnë t’i bindin me buzëqeshje se janë të lumtur. Në Canon, “detyrimin” për të buzëqeshur e shohin si një mundësi për të krijuar një atmosferë të ngrohtë në punë.

Ne duam t’i inkurajojmë punonjësit të krijojnë një atmosferë pozitive duke përdorur këtë sistem. Në përgjithësi, njerëzit janë të turpshëm për të buzëqeshur, por sapo të mësohen me buzëqeshjet në zyrë, ata do t’i mbajnë ato edhe pa sistemin, që ka për qëllim të krijojë një atmosferë pozitive dhe të gjallë”, i ka thënë një zëdhënës i kompanisë revistës “The Financial Times”.

Monitorimi i automatizuar i punonjësve është kthyer në praktikë të zakonshme për disa kompani të mëdha.

Amazon, për shembull, gjurmon stafin dhe përdor inteligjencën artificiale për të vlerësuar performancën e tyre. Mbi informacionin e mbledhur bëhen ngritjet në detyrë dhe shkarkimet. Gjithnjë e më shumë punëdhënës po përdorin softuer të monitorimit në distancë për të mbajtur nën kontroll punonjësit nga shtëpia.

Sipas një studimi të Smarter With Gartner, më shumë se gjysma e bizneseve të mëdha të anketuara po përdorin një lloj mbikëqyrjeje, nga analizimi i postave elektronike deri tek mbledhja e të dhënave biometrike.

Disa po përdorin kamera në internet për të monitoruar vëmendjen e punonjësve. Ata mund të vlerësojnë nëse punonjësit kanë vëmendjen e duhur thjesht ndjekur lëvizjet e tyre të syve dhe gjuhën e trupit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA