Athinë, digjen shtëpitë/ Zjarret po shkatërrojnë dhjetëra fabrika në periferi të kryeqytetit

07/08/2021 01:48

Athina është duke vuajtur pasojat e tmerrshme të zjarreve që po shkatërrojnë me qindra shtëpi, dhjetëra fabrika dhe biznese, një numër shumë të madh automjetesh si dhe kanë bllokuar edhe autostrada. Një zjarrfikës vullnetar humbi jetën nga flakët.

Mbrëmjen e së premtes situata u bë edhe më e rrezikshme. Disa zona në periferi të Athinës janë evakuuar, teksa zjarret kanë dalë jashtë kontrollit.

Vatra të reja zjarri janë aktivizuar në Agios Stefanos dhe Stamata. Po ashtu u riaktivizua sërish vatra e Varobobit për shkak të erës dhe temperaturave të larta.

Pavarësisht përpjekjeve të zjarrfikësve dhe ndërhyrjes nga ajri, situata nuk ka përmirësim, ndërsa të gjithë po luten për fillimin e shiut.

Zjarret që kanë rrethuar kryeqytetin grek, kanë ndotur edhe ajrin në Athinë, aq shumë sa mund të ketë fluks të njerëzve me probleme me frymëmarrjen në spitale.

Top Channel