Kosova ende është duke u ballafaquar me vatra zjarri.
Sipas të dhënave të MPB-së, janë 9 vatra aktive ku situata më e rëndë paraqitet në parkun nacional Bjeshkët e Nemuna për shkak të erërave të forta. Forca e Sigurisë së Kosovës po ofron mbështetje ushtarake për autoritet civile në fikjen e zjarreve. Me 100 pjesëtarë në terren për të intervenuar, shefi i operacioneve Ejup Maqedonci thotë se janë gjatë gjithë kohës pranë vatrave te zjarrit me fokus kryesor ruajtjen e jetës së qytetarëve.
“Aktualisht zjarre ka ende në Shtupeq të Pejës, vatra të zjarrit kryesisht edhe pasi të fiken riaktivizohen dhe rindizen për shkak të erërave që janë duke vazhduar dhe normal motit të nxehtë. E kemi nën menaxhim dhe kontroll të plot gjendjen në fshatrat e komunës së Suharekës ku janë fikur zjarret si dhe gjatë mbrëmjes dhe orëve te hershme të mëngjesit të sotëm është fikur edhe zjarri në fshatin Peqan dhe Sllobozhan”, thotë ai.
Forca e Sigurisë së Kosovës, që është reaguesi i tretë institucional në situata të tilla të përhapjes së zjarrit, aktualisht ka 100 pjesëtarë të angazhuar në terren për situatën e krijuar nga zjarri. Zjarri është përhapur në disa komuna të Kosovës por vatra më e madhe vlerësohet se është fshati Shtupeq në Bjeshkët e Nemuna të Rugovës. Në këtë fshat ka ndërhyrë edhe KFOR-i përmes helikopterëve ku deri tani ka pasur mbi 45 fluturime zjarrfikëse në këtë zonë
Top Channel