Bidenit i kërkohet të mbyllë burgun ushtarak të Guantanamos

06/08/2021 09:25

Dhjetëra demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve, i kanë kërkuar presidentit amerikan, Joe Biden që ta mbyllë menjëherë burgun ushtarak të Guantanamos në Kubë.

Disa javë para shënimit të 20-vjetorit të sulmeve të 11 shtatorit, që kanë ndikuar në hapjen e burgut, 75 ligjvënës amerikanë i kanë dërguar një letër presidentit, duke thënë se burgu vazhdon të jetë njollë për imazhin e SHBA-së, dhe i cili dëmton përpjekjet për të rritur zërin për të drejta të njeriut dhe sundim të ligjit.

“Ne kërkojmë nga ju që të merrni hapat e nevojshëm për të mbyllur burgun, të veproni menjëherë të zvogëloni popullsinë e tij dhe të siguroheni se të burgosurit e mbetur trajtohen në mënyrë njerëzore”, kanë shkruar ata.

“Burgu në Guantanamo ka pasur 800 të burgosur gjatë historisë së tij, mirëpo tani në të janë 39 burra, të plakur dhe gjithnjë e më të sëmurë”, kanë shtuar ata.

Ish-presidenti amerikan, George W. Bush ka hapur burgun pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit në SHBA, për të burgosur luftëtarët e dyshuar.

Në letër është përmendur edhe qëndrimi i Bidenit për të mbyllur këtë burg, kur është bërë nënpresident amerikan më 2009.

Kur Biden është bërë president i SHBA-së në janar të këtij viti, në burg kanë qenë 40 të burgosur.

Njëri prej tyre është liruar në shtëpinë e tij në Marok në muajin korrik.

Dhjetë të tjerëve u është pranuar kërkesa për lirim dhe janë në pritje të procedurave për riatdhesim apo zhvendosje në ndonjë shtet të tretë.

Një nga të ndaluarit më të famshëm në këtë burg është i dyshuari për organizim të sulmeve të 11 shtatorit – Khalid Sheikh Mohammed.

Në muajin shtator rasti i tij është planifikuar të rifillojë me një seancë paraprake gjyqësore.

Top Channel