Flakët jashtë kontrollit! Mbyllet rruga që lidh Athinën me Selanikun, rrezikohen banesa

05/08/2021 21:56

Rruga nacionale që lidh Athinën me Selanikun, u mbyll mbrëmjen e sotme, pasi flakët kaluan në anën tjetër të rrugës.

Sipas forcave zjarrfikëse, flaka po u afrohet banesave. Autoritetet në alarm, pasi gjatë natës pritet të ketë erë të fortë, ndërsa mbrojtja civile dërgoi mesazh gjithë banorëve të vendit se gjatë së premtes do të ketë rrezik të lartë për përhapjen e zjarreve.

Deri tani raportohen 5 të plagosur nga flakët ,mes tyre edhe një zjarrfikës. Gjendja e tyre paraqitet e mirë dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Me dekret të posaçëm presidencial, ndalohet kalimi në zonat natyrore dhe parqet kombëtare, si dhe në zonat pyjore të gjithë vendit.

Po ashtu, qeveria ka vendosur të  ndalohet saldimi dhe punimet me oksigjen në terren të hapur. Shkelësit gjobiten me 1000 euro dhe ndjekje penale.

Për shkak të dëmtimit të linjave të tensionit të lartë, në disa zona ka ndërpreje të energjisë, ndërsa Ministria e Shëndetësisë  u bëri thirrje banorëve të mos dalin nga shtëpitë nëse nuk kanë një arsye madhore.

 

Top Channel