Policia e Kosovës arreston një të dyshuar për zjarrvënie

04/08/2021 21:08

Policia e Kosovës ka njoftuar se në orët e pasditës të së mërkurës ka arrestuar një 32-vjeçar të dyshuar për kryerjen e veprës penale, zjarrvënie.

I dyshuari me inicialet S.H, është shtetas i Kosovës.

Sipas Policisë, zjarri ishte ndezur në fshatin Cërnushë të Mitrovicës.

“Njësia patrulluese menjëherë ka shkuar në atë lokacion dhe ka identifikuar vendin ku ishte ndezur zjarri në punishten e një gurthyesi në atë fshat. Është njoftuar njësia e zjarrfikësve, e cila ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka arritur që ta shuajë zjarrin”, është thënë në komunikatën për media të Policisë.

Si pasojë e zjarreve që kanë përfshirë rajone të ndryshme të Kosovës në javën e fundit, ka vdekur një qytetar i Malishevës.

Policia e Kosovës ka njoftuar se vdekja e tij dyshohet të jetë shkaktuar nga tymi i zjarrit.

Për zjarrvënie të qëllimshme, në dy ditët e fundit, Policia e Kosovës ka arrestuar edhe tre persona tjerë.

Zjarrvënia e qëllimshme është vepër penale sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas nenit 322 të këtij Kodi, kjo vepër penale është e dënueshme nga gjashtë muaj deri në 10 vjet burgim, varësisht formës së kryerjes së përcaktuar në Kod.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA