Ditën e martë është festuar në Zerqan 78-vjetori i çlirimit të krahinës, më 3 gusht 1943 nga okupatori fashist.
Për herë të parë pas viteve ’90 bëhet i mundur rikthimi i festimit tradicional të kësaj dite që festohej rregullisht gjatë regjimit komunist.
Në këtë festë morën pjesë trashëgimtarë të familjeve të dëshmorëve, banorë të krahinës dhe krahinave përreth.
Kryebashkiaku Lefter Alla tha se është nder të përkujtojmë dëshmorët që dhanë jetën për çlirimin e vendit. Alla ishte organizatori dhe realizuesi i këtij eventi të rëndësishëm në përkujtim të luftës partizane për çlirimin e vendit.
“Lavdi e mirënjohje për dëshmorët që dhanë gjënë më të shtrenjtë, jetën e tyre për liri. Të mos harrojmë se Zerqani është futur në projektin e 100 fshatrave, ndaj më tepër vëmendje për të, pasi Zerqani e meriton plotësisht një gjë të tillë”, tha në fjalën e saj përshëndetëse kryetarja e qarkut të Dibrës, Valentina Haliti Doda.
Ndërkohë banorët të cilët kishin ardhur për të festuar e kujtojnë me nostalgji rikthimin e festës së Zerqanit pas 31 vitesh. Aktiviteti vijoi nën ritmin e muzikës dhe valleve.
Top Channel