8 vjedhje në dy muaj, arrestohet “tmerri” i durrsakëve

03/08/2021 10:16

Një 19-vjeçar në qytetin e Durrësit është arrestuar nga policia pasi akuzohet për 8 vjedhje të ndodhura gjatë muajve qershor-korrik.

Sipas policisë në banesa në lagjen 13 në Durrës ai ka marrë para, celularë si dhe bizhuteri floriri.

“Shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh, në vijim të punës për zbardhjen e vjedhjeve të ndodhura më parë, kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore, ndaluan shtetasin A. D., 19 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”.

Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi dyshohet si autor i 8 vjedhjeve të ndodhura në lagjen nr. 13, Durrës, gjatë muajve qershor-korrik, konkretisht në banesat e shtetasve F. F., M. B., B. N., B. L., V. C., A. U., I. M., F. A., ku ka marrë vlera të ndryshme monetare, aparate celulare dhe bizhuteri floriri”, thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Top Channel