Porsche SE, kompania e familjes që kontrollon Volkswagen Group, është investitori i fundit i madh që ka vënë bast mbi rolin vendimtar të hapësirës në zhvillimin e teknologjive të së ardhmes.
Kompania, e kontrolluar nga familjet e lidhura Porsche dhe Piëch, që e shndërruan Volkswagen-in në një fuqi botërore, bëri publik investimin e saj në Isar Aerospace të Gjermanisë, një startup hapësinor që përpiqet të rivalizojë Blue Originin e Jeff Bezos dhe SpaceX të Elon Musk, me prodhimin e raketave dhe lëshimin e satelitëve.
Teksa Blue Origin dhe SpaceX mbështeten nga miliarderë dhe tashmë po vihen në krye të garës së misioneve kozmike me në qendër të tyre biznesin, Isar Aerospace beson se mund të konkurrojë në tregun në rritje për lëshimin e satelitëve të vegjël në orbitën e Tokës. Fluturimin e parë të provës, ajo e planifikon vitin e ardhshëm. Porsche SE po investon së bashku me kompaninë HV Capital dhe bankën zvicerane Lombard Odier për të injektuar 75 milionë dollarë në këtë kompani, si pjesë e një raundi financimi prej 165 milionë dollarësh që përfshin investitorët ekzistues.
Kërkesa komerciale për lëshimin e satelitëve të vegjël pritet të rritet ndjeshëm vitet e ardhshme, pasi kompanitë në industritë tradicionale dhe ato në zhvillim duket se do të mbështeten shumë më tepër në teknologjinë satelitore për sa i takon aplikacioneve të softuerëve.
Top Channel