Pasi i dëgjoi për gjashtë orë me radhë, Gjykata e Posaçme e Apelit nuk ndryshoi asgjë nga vendimi i një shkalle më të ulët dhe dërgoi në paraburgim ish drejtoreshën e blerjeve të përqendruara së bashku me 7 zyrtarët e tjerë, të implikuar si anëtarë të komisionit të vlerësimit të ofertave dhe të njësisë së prokurimit, pasi SPAK dyshon se shkelën barazinë në tendera dhe shkaktuar dëm ekonomik.

Gjykata mbajti qëndrim tolerant vetëm ndaj zyrtares Anisa Bogdani, por edhe ajo fitoi masë lehtësuese ngaqë është nënë e një fëmije të mitur.

Nëntë të dyshuarit për skandalin e uniformave të Policisë së Shtetit kanë kërkuar ndryshim të masave dhe të shkonin në shtëpi, por gjithashtu pretenduan dhe këmbëngulën se nuk kanë kryer asnjë vepër penale.

Madje në këtë kontekst të gjithë të dyshuarit folën përmes avokatëve mbrojtës se nëse do të kishte hetime serioze, atëherë i pari që do kishte përgjegjësi është ish kryetari Ylber Pjetërnikaj, që ndërkohë nga dosja e prokurorisë së posaçme SPAK rezulton se nuk ka firmosur në tenderin prej 2.8 miliardë lekë, me të cilin do prodhoheshin uniformat e Policisë së Shtetit.

Të dyshuarit akuzojnë njëherazi policinë e shtetit që sipas tyre është autoriteti kontraktues që kreu specifikimet përkatëse.

Por, SPAK thellohet në skandalin e tenderit të uniformave duke evidentuar se më të njëjtën kosto u prodhuan mbi 239 mijë artikuj më pak, kurse të dyshimta mbeten cilësia dhe standard i uniformave dimërore dhe verore të policisë.

Top Channel