Mbi 1,400 viktima nga tërmetet në Venezuelë, familjet kërkojnë me dëshpërim të mbijetuarit nën rrënoja
Kryeministri izraelit Naftali Bennett njoftoi se vendi do të ofrojë një dozë të tretë të vaksinës kundërCOVID-19 për qytetarët mbi 60-vjeç të cilët tashmë janë vaksinuar.
Kështu Izraeli do të bëhet vendi i parë në botë që do të ofrojë një dozë përforcuese të vaksinës Pfizer/BionTech në masë. “Realiteti është se vaksinat janë të sigurta. Realiteti gjithashtu dëshmon se vaksinat mbrojnë kundër sëmundjeve të rënda dhe vdekjes. Dhe si vaksina e gripit, e cila duhet të rinovohet herë pas here, është e njëjtë në këtë rast,” tha Bennett në një fjalim drejtuar kombit të transmetuar në televizion.
Vendimi për dozën e tretë u mor në një kohë të rritjes së numrit të të infektuarve dhe treguesve se efektiviteti i vaksinës po dobësohet me kalimin e kohës. Bennett njoftoi se presidenti i ri i Izraelit, Isaac Herzog, do të jetë i pari që do të marrë vaksinën e tretë nesër, dhe banorët e tjerë nga e diela, dhe se menjëherë pas konferencës për shtyp, ai do t’i bëjë thirrje nënës së tij që ta inkurajojë atë të bëjë njësoj.
As SHBA-ja dhe as BE -ja nuk kanë miratuar dozat e treta të vaksinës, dhe ende nuk është vërtetuar nëse ndihmon dhe kush ka nevojë për të dhe kur. Më parë, doza të treta të vaksinave ruse dhe kineze u dhanë në disa vende, sipas Associated Press.
Që nga fillimi i këtij viti, Izraeli ka udhëhequr një nga fushatat më agresive dhe të suksesshme të vaksinimit. Më shumë se 57 për qind e popullsisë prej 9.3 milionë njerëz morën dy doza të vaksinës Pfizer/BionTech dhe 80 për qind e popullsisë mbi moshën 40-vjeç u vaksinua.
Falë vaksinimit, Izraeli ka hapur ekonominë e tij përpara vendeve të tjera, por tani po regjistron një kërcim të mprehtë të të infektuarve me llojin e ri delta të virusit, madje edhe midis atyre të vaksinuar. Njerëzit mbi moshën 60-vjeç të imunizuar më shumë se pesë muaj më parë do të jenë në gjendje të marrin vaksinën e tretë.
Top Channel