Kosovë, dominon varianti “Delta” në rastet e të prekurve nga COVID-19

30/07/2021 22:31

Zyrtarë të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë thanë të premten se 80 deri 90 për qind e rasteve të reja pozitive me koronavirus janë të variantit të ri “Delta”.

Këto komente u bënë në një konferencë për gazetarë, përgjatë së cilës u ngritën shqetësimet për rritjen e numrit të të infektuarve ditëve të fundit.

“Të dhënat e fundit nga departamenti i mikrobiologjisë në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë publike të Kosovës tregojnë që diku prej 80 deri 90 për qind të izolateve të fundit të Sars-koronavirusit 2 janë të variantit Delta”, tha Xhevat Jakupi nga Instituti Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë.

“Varianti Delta përhapet shumë më shpejt dhe duke u përhapur më shpejt nënkupton që prek më shumë njerëz dhe sa më shumë njerëz që prek me infeksion një pjesë e tyre mundet të përfundoj me pasqyrë të rëndë klinike që kërkon hospitalizim. Kjo prapë do ta ngritë barën në spitale dhe do të ndikon që të kemi më shumë pacientë duke kërkuar trajtim në spitalet e Kosovës”, tha zoti Jakupi.

Në Kosovë autoritetet konfirmuan të premten një rast të vdekjes dhe 70 raste të reja të të prekurve nga COVID-19.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike tha se janë kryer 2 mijë e 941 teste gjatë 24 orëve të fundit. Një ditë më parë qenë regjistruar 72 raste të reja.

Sipas këtij instituti në 24 orët e fundit janë vaksinuar afër 13 mijë persona.

Numri i personave të vaksinuar me të dyja dozat e vaksinave ka shkuar në 137 mijë.

Autoritetet shëndetësore po bëjnë thirrje për vaksinim masiv nga frika e shtimit të rasteve të reja posaçërisht të variantit Delta, i cili fillimisht u identifikua në Indi.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se arma e vetme kundër COVID-19 mbetët vaksinimi.

“Jemi ende shumë larg përfundimit të pandemisë dhe këtë duhet kuptuar të gjithë prandaj hezitimet për t’u vaksinuar vetëm mund dhe do ta përkeqësojnë situatën. Duhet të tregohemi të arsyeshëm për të parandaluar përhapjen e më tej të virusit dhe kjo nënkupton që qytetarët e vendit tonë duhet të vaksinohen dhe atë me dy dozat e vaksinës”, tha ai.

Ministri Vitia tha se aktualisht kapacitetet për administrimin e vaksinave janë nga 16 mijë deri 20 mijë qytetarë në ditë. Ai tha se interesimi më i madh për t’u vaksinuar mbetet në Prishtinë dhe disa qytete të mëdha ndërsa ka një hezitim nëpër komuna më të vogla.

“Sot kur vendi ynë ka vaksina kundër COVID-19 për secilin qytetarë, sot kur qytetarët e Republikës kanë mundësi të zgjedhin edhe vaksinën që do ta marrin, sot kur janë hequr edhe kufizimet sipas kategorive për t’u vaksinuar dhe ky proces është bërë shumë i thjeshtë dhe i qasshëm për secilin nuk ka arsye të vetme për t’u mos u vaksinuar, asnjë të vetme”, tha ministri Vitia.

Ministri Vitia u bëri thirrje posaçërisht mësimdhënësve që të vaksinohen në mënyrë që të sigurohet mbarëvajtja e mësimit nga muaji shtator.

Përfaqësuesit e Sindikatës së Arsimit kanë shprehur shqetësimin për numrin e vogël të mësimdhënësve të vaksinuar. Sipas tyre deri më tash janë vaksinuar 30 për qind e rreth 23 mijë mësimdhënësve që ka Kosova.

Kryetari i sindikatës së arsimit, Rrahman Jasharaj i tha Zërit të Amerikës se të dhënat janë shqetësuese.

“Pavarësisht që nuk ka ligje që e obligon dikë për vaksinim, unë mendoj se vet misioni i shenjtë i punëtorit të arsimit që të edukoj breza dhe vet kërkesa e tyre që mësimi të zhvillohet në shkolla ata duhet të jenë shembull dhe besoj që këtë do ta bëjnë që të jenë të vaksinuar sepse profesioni i mësimdhënësit nuk është vetëm një vend pune por edhe mision i shenjtë i edukimit të brezave dhe ata duhet të jenë shembull edhe në këtë aspekt duke treguar që janë vaksinuar duke dhënë shembul pozitiv”, tha zoti Jasharaj.

Numri i ultë i mësimdhënësve të vaksinuar ka ngritur edhe diskutmet nëse duhet ndëshkuar ata që hezitojnë të vaksinohen.

Zoti Jasharaj tha se sindikata nuk do t’i mbrojë mësimdhënësit që hezitojnë ta vaksinohen.

“Ne nuk do të bëjmë asnjë angazhim për t’i mbrojtur sepse nuk do të kemi edhe mbështetje për t’i mbrojtur ata që nuk duan të vaksinohen e që nuk e kanë asnjë arsye e që aq më tepër kur ka doza të mjaftueshme të vaksinave dhe po them ata nuk e kanë asnjë arsye për të mos u vaksinuar”, tha ai për Zërin e Amerikës.

Zoti Jasharaj thotë se sistemi i arsimit ka qenë i sfiduar seriozisht nga pandemia dhe se vaksinimi i mësimdhënësve sipas tij nuk është dëshirë por detyrim për të mbajtur procesin mësimor në shkolla./VOA/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA