Fiks Fare/ Përmbarimi i Shkodrës, as me hapin e breshkës: 17 vite për të ekzekutuar një vendim gjyqësor të formës së prerë!

30/07/2021 20:43

Fiks Fare mbylli sezonin me një denoncim për veprimet e Zyrës së Përmbarimit të Shkodrës, e cila nuk ka mundur të ekzekutojë një vendim gjyqësor të formës së prerë prej 17 vitesh.

Në datën 8 tetor 2004, kur “Fiks Fare” nuk kishte mbushur as 2 vite në transmetim, Gjykata e Shkodrës dha një vendim gjyqësor ku detyronte administratorin e shoqërisë “Rozafa Ortakët” që të certifikonte mjetin e aksionerit Flamur Dervishi. Por, edhe pas 17 viteve, ky vendim nuk është ekzekutuar!

Në redaksinë e emisionit investigativ u ankua Flamur Dervishi. Ai thotë se, pas viteve 2000, disa shoferë që kanë bërë linjat e transportit Shkodër-Durrës dhe Shkodër-Tiranë themeluan kompaninë e udhëtimeve “Rozafa”. Secili shofer mori aksionet e veta, që shkonin deri rreth 7 %. Sipas tyre, u përzgjodh dhe administratori i cili kishte edhe detyrimin që mjetin e secilit aksioner ta dërgonte për certifikim pranë Drejtorisë së Transportit të Bashkisë. Por, administratori në 2005 nuk dërgoi disa mjete të aksionerëve dhe filluan konfliktet. Tre aksionerë paditën në gjykatë këtë shoqëri, ku fituan gjyqin, ku detyrohej “Rozafa” që të dërgonte për certifikim mjetet e aksionerit Flamur Dervishi. Vendimi është marrë në vitin 2004 në Gjykatën e Shkodrës. Ka marrë formë të prerë, ndërkohë që është tentuar që të ekzekutohej.

Flamuri thotë se nga viti 2004 deri në 2021, vendimi ende nuk është ekzekutuar nga Zyra e Përmbarimit Shtetëror në Shkodër. Sipas tij, pavarësisht se nuk është ekzekutuar, ai vijon që të jetë aksioner në këtë shoqëri. Mjafton që të hapet ekstrakti i Qendrës Kombëtare të Biznesit ku ai figuron aksioner. Por, mjeti i tij po kalbet dhe nuk del në qarkullim, pasi Përmbarimi i Shkodrës nuk e ka ekzekutuar dot këtë vendim. Flamuri thotë se firma ku ai është aksioner ka vijuar aktivitetin e saj dhe çuditërisht rezulton me humbje. Por, kjo s’e ka penguar këtë firmë që të marrë dhe të rinovojë licencat me Drejtorinë e Përgjithshme të Transportit Rrugor, ku kjo kompani ka marrë licencat Shkodër-Durrës-Shkodër dhe Shkodër-Tiranë-Shkodër. Flamuri thotë se megjithëse është aksioner dhe firma ku ai ka aksione merr licenca, mjeti i tij nuk del në rrugë, pasi administratori nuk ia dërgon për certifikim.

Flamur Dervishi dhe avokati i tij janë paraqitur prej 17 vitesh në zyrën e Përmbarimit Shtetëror në Shkodër. Ai thotë se ka bërë disa ankesa për mosekzekutimin e vendimit, ndërsa janë bërë dhjetëra procedura, por deri më tani, nuk është bërë e mundur ekzekutimi i vendimit. Në një bisedë mes tij dhe përmbaruesit Endërson Memçaj, që është edhe kreu i kësaj zyre në Shkodër, detajohet e gjithë problematika. Sipas përmbaruesit, janë bërë disa vendime gjobe dhe kallëzimesh për administratorin e kompanisë, por këto gjoba dhe kallëzime janë pushuar nga gjykata dhe prokuroria. Sipas tij, nuk mund të vendosë sekuestro në Tatim Taksa apo të heqë nga qarkullimi rrugor mjetet e shoqërisë.

Sipas Memçajt, ka ende një praktikë të hapur në këtë zyrë shtetërore. Pas kësaj përgjigje, Fiks Fare i bëri një kërkesë për informacion Zyrës së Përmbarimit Shtetëror. “Pas regjistrimit të titullit ekzekutiv është bërë lajmërim për ekzekutim vullnetar. Me kalimin e afatit 10 ditor, është kaluar në ekzekutim të detyruar. Janë kryer një numër i madh veprimesh proceduriale në zbatim të titullit ekzekutiv, deri në gjobitjen e debitorëve për mosekzekutim të vendimit gjyqësor. Janë vendosur 3 gjoba përmbarimore, të cilat janë anuluar nga gjykata. Është bërë kallëzim penal 3 herë dhe këto kallëzime penale janë pushuar nga prokuroria” thuhet në përgjigjen e Zyrës së Përmbarimit Shtetërore të Shkodrës.

Ndërkohë, sipas Përmbarimit, në datë 08 shtator 2019 është nxjerrë një urdhër për bllokimin e aktivitetit të Shoqërisë Rozafa -Ortakët pranë QKB dhe në Tatim Taksa. “Nga ana e Zyrës sonë do të ndërmerren të gjitha hapat e duhur ligjore për ekzekutimin e vendimit gjyqësor. Në datën 10 shtator 2020 janë njoftuar palët që të paraqiten pranë Zyrës së Përmbarimit për ballafaqim. Vendimi gjyqësor konsiston vetëm në detyrimin për regjistrim nga ana e Shoqërisë Rozafa shpk të ortakut Flamur Dervishi. Nga ana e Zyrës Përmbarimore Shkodër janë kryer të gjitha veprimet ligjore” përfundon përgjigjja.
Por, nëse do të ishin kryer të gjitha veprimet ligjore, a nuk duhej të ekzekutohej vendimi prej 17 vitesh? Me këto hapa, Përmbarimi pritet ta ekzekutojë këtë vendim edhe pas 17 vitesh të tjera.

FOTO GALERI
5/10

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA