Dy shqiptarë janë dënuar me burg në Britaninë e Madhe, pasi u kapën në kuadër të një hetimi për shpërndarjen e kokainës. Gjatë kontrolleve, policia gjeti më shumë se 10 mijë paund të fshehura brenda një mobilie televizori, së bashku me qindra doza kokaine.
Sipas njoftimit të Policisë së Staffordshire, Mikele Bilali, 26 vjeç, dhe Ervin Hasa, 25 vjeç, u paraqitën më 2 tetor përpara Gjykatës së Kurorës në Stoke-on-Trent, ku u shpallën dënimet për veprat penale të pranuara prej tyre.
Bilali u dënua me një vit e 10 muaj burg, pasi pranoi akuzat për posedim të kokainës me qëllim shpërndarjen, drejtim të automjetit pa leje drejtimi dhe drejtim pa siguracion. Ndërsa Hasa u dënua me tre vite burg, pasi pranoi akuzat për posedim të kokainës me qëllim shpërndarjen dhe posedim të pasurisë kriminale.
Ngjarja nisi kur efektivët e policisë, gjatë patrullimit në zonën Boothen të Stoke-on-Trent, ndaluan një automjet të zi tip “Mercedes”, që drejtohej nga Bilali dhe që kishte tërhequr vëmendjen e tyre për mënyrën e drejtimit.
Hasa iu afrua automjetit dhe komunikoi me Bilalin, ndaj edhe ai u arrestua. Gjatë kontrollit të makinës, policia gjeti telefona celularë të lidhur me Bilalin, ku kishte mesazhe që lidhen me shpërndarjen e drogës, si dhe çelësa të një banese të përdorur nga Hasa.
Ky i fundit u gjet me 19 qese të vogla kokaine. Më pas, gjatë kontrollit të banesës, oficerët zbuluan rreth 10.700 paund të fshehura në një çantë të markës “Gucci”, brenda mobilies së televizorit. Në një kuti videolojërash u gjetën edhe 1.000 paund të tjera, ndërsa në banesë u zbuluan më shumë se 210 qese me kokainë.
Edhe Bilali u gjet me drogë gjatë kontrollit në ambientet e paraburgimit, ku iu zbuluan 11 qese të vogla kokaine të fshehura në pantallona.
Në total, policia sekuestroi 241 qese me kokainë, me një vlerë të përllogaritur në treg prej rreth 9.500 paundësh, si dhe më shumë se 11.900 paund në para të gatshme.
Sipas policisë, të dy të arrestuarit fillimisht nuk pranuan të jepnin deklarata gjatë marrjes në pyetje, por më vonë u akuzuan dhe pranuan veprat penale në gjykatë.
Pas shpalljes së dënimeve, kryeinspektori Steve Morrey, nga departamenti i specializuar i krimeve në Policinë e Staffordshire, deklaroi se të dy personat ishin të përfshirë në shpërndarjen e lëndëve narkotike në Stoke-on-Trent.
Ai theksoi se policia do të vijojë punën për të goditur dhe ndjekur penalisht personat e përfshirë në trafikun e drogës në zonën e Staffordshire.
Top Channel