Presidenti i SHBA-së Joe Biden ka thënë se familja e tij ndihet e nderuar pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ndau medalje për djalin e tij të ndjerë Beau Biden, i cili kishte shërbyer në Kosovë pas përfundimit  të luftës.

Biden i ka thënë presidentes Osmani, përmes një video mesazhi se puna e Beau BIden në Kosovë ka qenë e përzemërt.

“Faleminderit, presidentja Osmani! Unë jam këtu në sallën kryesore të Shtëpisë së Bardhë dhe me fëmijët e Beau-t. Nipërit e mbesat e mia Natalie dhe Hunter janë pikërisht atje, dhe ne vetëm duam të themi se kjo është e pabesueshme dhe dua të falënderoj Republikën e Kosovës për këtë medalje. Është një nder i madh për neve që ju kujtoni djalin tonë Beau. Puna e Beau-t në Kosovë ishte e çiltër, ai u dashurua me vendin tuaj, dhe unë kam fëmijët e tij me mua, nipërit e mbesat, Natalie dhe vëllai i tij Hunter, gjithashtu edhe motra e tij dhe e gjithë familja. Kjo do të thotë kaq shumë për ne, për të gjithë familjen.

Pesë vjet më parë, unë solla Natalie dhe Hunter, gruan time Jill, dhe gjithë familja Biden në Kosovë për një ceremoni, ku u emërua një autostradë me emrin e Beau Biden para Kampit Bondsteel. Ishte shumë emocionuese për ne. Vetëm një vit pasi humbëm Beau-n, djalin tonë, pamë teksa nderohej kujtimi për të siç bënë të dy partitë politike, duke shkuar te Kampi Bondsteel, dhe mënyra se si ata folën për Beau-n. Duke e ditur se sa njerëz ka prekur, ne jemi përgjithmonë mirënjohës për të gjithë njerëzit e Kosovës, të cilët Beau i deshi aq shumë, kështu që ai besoi aq thellë në pavarësinë dhe demokracinë tuaj”, ka thënë Biden.

Për më tepër, presidenti amerikan ka folur edhe për kontributin e Beau Biden për popullin e Kosovës pas luftës.

“Si avokat në Departamentin e Drejtësisë të SHBA-së, ai doli vullnetar për të shkuar në Kosovë, në Republikën e Kosovës për të mbështetur Pavarësinë tuaj dhe demokracinë tuaj të re, dhe mbi të gjitha sundimin e ligjit. Në atë kohë, Kosova ende mbante plagët e freskëta të luftës. Në një sistem drejtësie të zbrazur nga dekada të sundimit totalitar, Beau mund të shihte atë që ju mund të bënit, Beau mund të shihte edhe atëherë të ardhmen që ishte e mundshme për vendin tuaj krenar.

E ardhmja që Kosovës i ishte mohuar prej kohësh. Kjo është arsyeja pse ai ishte aq i përkushtuar që të punonte me popullin e Kosovës për t’u siguruar që krimet e luftës të hetoheshin dhe të ndiqeshin profesionalisht, për të ndihmuar Kosovën në ndërtimin e një sistemi të drejtë gjyqësor e të aftë për të sjellë drejtësi dhe pajtim të vendit pas gjithë kohës që Slobodan Millosheviq brutalizoi vendin tuaj. Beau ndihmoi në krijimin e programeve të trajnimit për gjyqtarët dhe prokurorët vendas. Kjo do të vendoste bazën për institutin gjyqësor të Kosovës, që tani është Akademia e Drejtësisë. Beau do të ishte i pari që do t’ju tregonte, pasi na tha se ai ishte vetëm një nga shumë njerëz të përkushtuar, të përkushtuar në detyrë, përfshirë shumë qytetarë krenarë të Kosovës”, tha Biden.

Presidenti Biden ka thënë se Kosova ende ka për të bërë shumë punë, duke premtuar njëherësh se SHBA do të vazhdojë të mbetet partner i saj në të ardhmen.

“Pra, duke pranuar këtë çmim në emër të djalit tonë, unë gjithashtu dua të kujtoj përparimin e jashtëzakonshëm që Kosova ka bërë gjatë 20 vjetëve të fundit, kanë qenë atje njerëz që kanë punuar pa u lodhur për të ndërtuar një të ardhme më të ndritur, dhe Beau e besoi atë për popullin e Kosovës.  Ka akoma më shumë punë për të bërë, nuk kam nevojë të ua them, duhet më shumë punë për të luftuar korrupsionin për të mbrojtur të drejtat e pakicave etnike dhe fetare, për të ndërtuar marrëdhënie pozitive me kombet fqinje dhe për të forcuar zhvillimin ekonomik. Dhe ju premtoj, që SHBA do të mbeten partneri i palëkundur i Kosovës në këtë luftë. Kështu së bashku ne mund të dëshmojmë se shtetet demokratike janë në gjendje të plotësojnë nevojat e qytetarëve të tyre.

Isha vërtet i lumtur që munda të ndaj një vaksinë të sigurt dhe efektive, vaksinën Pfizer, me të gjithë ju, nga furnizimi që kishim, që qytetarët e Kosovës të mposhtnin pandeminë Covid-19, dhe pres që vaksina tjera të dërgohen nga nisma ndërkombëtare Covax, dhe dozat do të vijnë brenda javëve. Si president i Shteteve të Bashkuara pres me padurim të vazhdoj thellimin e miqësisë tonë të jashtëzakonshme dhe partneritetin midis dy Kombeve tona. Përsëri, në emër të Natalie, mbesës sime të bukur, djalit tim të bukur dhe vëllait të tij Hunter dhe motrës së tij Ashley, dhe Jillit dhe nga e gjithë familja Biden, faleminderit për këtë nder të madh. Kjo ka më shumë rëndësi për ne sesa ju e mund ta paramendoni. Kombi i Kosovës është zemra e të gjithë familjes Biden. Dhe siç do të thoshte nëna ime, Zoti ju do”, ka përfunduar Biden.

Ndryshe, të dielën, nën organizimin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, mbahet ceremonia e dorëzimit të medaljes post-mortem për Beau Biden, i cili është dekoruar me iniciativë të presidentes Osmani.

Beau Biden ka vdekur nga kanceri në tru në vitin 2015. Ai ka shërbyer në Kosovë pas mbarimit të luftës, përkatësisht më 2001, në trajnimin e gjykatësve dhe prokurorëve vendorë.

Kjo është hera e dytë që Kosova nderon djalin e presidentit amerikan. Më 2016, në vitin e fundit të Bidenit si nënpresident amerikan, ai, së bashku me familjen e tij, kanë vizituar Kosovën, për të inauguruar rrugën Beau Biden afër kampit Bondsteeel.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA