Vetëm fjalë dhe firma. Asnjë marrëveshje nuk është zbatuar mes Shqipërisë dhe Kosovës. Denoncimi i gazetarit

29/07/2021 20:10

Gazetari dhe analisti Milaim Zeka ka folur për mbledhjet e qeverisë së Shqipërisë me atë të Kosovës për nënshkrimin e disa marrëveshjeve, për të cilat thotë se asgjë nuk është zbatuar.

Për këtë përmend lëvizjen e lirë duke thënë se gjithçka kuptohet në kufirin e Morinës kur duhet pritur me orë të tëra për të kaluar. Zeka në emisionin “Top Talk” përmend rastin e Zvicrës kur kishin të domosdoshëm kontrollin e pasaportave me gjermanët duke thënë se nga 100 makina kontrolloheshin vetëm 2.

Dyrnjaja: Midis Shqipërisë dhe Kosovës ka pasur disa mbledhje të dy qeverive dhe janë nënshkruar disa marrëveshje dhe cdo mbledhje ka pasur në rendin e ditës nënshkrimin e marrëveshjeve. A dini ju që të jetë nënshkruar dhe realizuar një pjesë e këtyre marrëveshjeve përvecse duket se kanë mbetur vetëm në letër, më shumë imazh se realitet?

Zeka: Qeveria e Shqipërisë me të gjitha marrëveshjet e nënshkruara me Kosovën është treguar joserioze dhe asnjë marrëveshje nuk është zbatuar, qoftë ajo për Portin e Shëngjinit, qoftë marrëveshje për lëvizje të lirë dhe një gjë e tillë nuk ka ndodhur as nga ana e Kosovës. Për ta kuptuar hipokrizinë e Edi Ramës dhe qeverisë së Kosovës, urdhëroni dhe kaloni kufirin në Morinë dhe aty do të prisni me orë të tëra për ta kaluar kufirin Kosovë-Shqipëri, ndërkohë që Zvicra në të kaluarën kur kishte kontrollin e domosdoshëm të pasaportave me gjermanët, nga 100 makina kontrolloheshin vetëm 2. Një gjë e tillë nuk është zbatuar asnjëherë dhe krejt marrëveshjet e bëra mes Kosovës dhe Shqipërisë kanë qenë thjesht për propagandë dhe konsum të brendshëm politik.

Top Channel