‘Në galerinë e arteve pamore të Durrësit u çel ekspozita ’10 vite pa Nikoletin’ në kujtim të piktorit të mirënjohur Nikolet Vasia, që përjetësoi në art shumë momente historike të kombit tonë, duke nisur nga puthja e flamurit nga Isa Boletini.
Abaz Hado: Është një ngjarje për Durrësin të hapësh një ekspozitë për Nikolet Vasinë, pasi ai është një piktor me krijimtari të pasur që kanë lënë gjurmë në artin shqiptar. Janë disa vepra të rëndësishme të pikturës shqiptare me tematikë historike që mbajnë emrin e Nikolet Vasisë dhe nuk janë përsëritur më, pavarësisht tentativave të bëra.
Në 10-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta, familjarë dhe miq të piktorit u mblodhën në galerinë e arteve që mban emrin e tij, për të shijuar jo vetëm pikturat nga fondi i galerisë dhe i koleksioneve private, po dhe për të ndarë kujtime të shumta që artisti la pas, bashkë me trashëgiminë e pasur artistike.
Stërnip i Kol Idromenos, Nikoleti lëvroi të gjitha gjinitë e arteve pamore. Ai është bashkautor i mozaikut masiv që shfaqet në krye të mauzoleut të dëshmorëve në Durrës, i mozaikut në muzeun kombëtar “Gjergj Kastrioti” në Krujë, i pikturave murale dhe vitrazheve e shumë pikturave që sot janë pjesë e koleksioneve private në mbarë botën, Autorësinë e Vasisë mban edhe emblema, stema e qytetit bregdetar të Durrësit.
Top Channel