Video/ Kuvajti shkatërron në ajër 32 dronë “armiqësorë”, Irani vazhdon të shënjestrojë objektivat kritike në vend Katër efektivë policie dëshmuan me lot në sy para komisionit hetimor të Kongresit ku ofruan detaje mbi sulmin e një turme të zemëruar të mbështetësve të Presidentit të atëhershëm Donald Trump në Kapitol në 6 janar, në një përpjekje të pasuksesshme për të bllokuar certifikimin e fitores së demokratit Joe Biden në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar.
Dy policë të Kapitolit dhe dy policë të qytetit të Uashingtonit thanë se kishin frikë për jetën e tyre ndërsa rreth 800 protestues sulmuan forcat e zbatimit të ligjit, i tallën ata me epitete racore dhe politike, u përleshën me policinë, i spërkatën ata me substanca kimike dhe u morën mburojat dhe pajisje të tjera.
“Dhuna fizike që përjetuam ishte e tmerrshme dhe shkatërruese. Unë dhe kolegët e mi policë u goditëm pa mëshirë e u spërkatëm me kimikate që na dëmtuan sytë nga një turmë e dhunshme, e cila, na pa ne, zbatuesit e ligjit që si për ironi kemi për detyrë të mbrojmë qytetarin, si pengesën kryesore të përpjekjes së tyre për rebelim”, tha Aquilino Gonell.
Ai i 6 muajve më parë ishte sulmi më i rëndë në më shumë se dy shekuj mbi Kapitolin amerikan, që shihet si një simbol i demokracisë amerikane. Shtatë anëtarë demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve dhe dy ligjvënës republikanë të një komisioni të posaçëm hetimor dëgjuan dëshmitë. Gjatë seancës që zgjati tre orë e gjysmë, oficeri i Policisë së Kapitolit, Aquilino Gonell tha se “Kryengritësit më quajtën ‘tradhtar’, ‘turp (i vendit)’ dhe bërtitën që unë (një veteran i ushtrisë dhe oficer policie) duhet të ‘ekzekutohesha’,” duke e përshkruar përjetimin e asaj dite si diçka nga një fushëbetejë mesjetare.
Top Channel