Miami/ Pas më shumë se një muaj, identifikohet viktima e fundit në ndërtesën e shkatërruar

27/07/2021 11:00

Trupi i viktimës së fundit është nxjerrë dhe identifikuar në ndërtesën që u shemb në 24 qershor, në Miami.

Gjetja e trupit i jep fund pritjeve plot ankth të familjarëve të 54-vjeçares Estelle Hedaya, e cila rezultonte e zhdukur që prej 24 qershorit.

Vëllai i saj Ikey Hedaya i tha medieve amerikane se policia lokale e Nju Jorkut ia dha lajmin familjes të hënën.
Numri total i viktimave që mbetën nën rrënojat e pallatit shkon në 98.

Ekipet e kërkimit kaluan javë të tëra duke gërrmuar rrënojat për gjetjen e viktimave, ndërsa të premten thanë se kërkimi i tyre përfundoi. Në atë kohë, Estelle Hedaya nuk ishte gjendur ende, raporton BBC.

Kryebashkiakja e qarkut Miami-Dade, Daniella Levine Cava tha të hënën se vullnetarët e policisë po vazhdonin të pastronin me kujdes mbeturinat dhe të merrnin prej aty sende personale me vlerë për banorët, por më vonë u gjet trupi i Estelle.

Zyrtarët thonë se vendi ku ndodhej dikur godina 12-katëshe Champlain Towers South po trajtohet si një skenë krimi.

Shkaku që e bëri ndërtesën 40-vjeçare të binte në tokë mbetet i panjohur, por një raport i vitit 2018 kishte gjetur probleme në strukturën e banesës. Madje, disa banorë ishin ankuar për ndërhyrje të paligjshme.

Top Channel