“Fluturuam nga dritarja”, dëshmia tronditëse- merret vendimi për shoferin e autobusit

27/07/2021 14:44

“Kur hapa sytë, pashë që dikush theu xhamin e autobusit dhe doli përmes tij, kështu që unë e ndoqa instinktivisht.

Kur dola, kuptova se kjo nuk ishte një ëndërr. Fillova të ndihmoj njerëzit, disa u plagosën, disa me dëmtime më serioze, disa kishin vdekur tashmë”; kjo është dëshmia tronditëse e njërit prej pasagjerëve të autobusit të aksidentuar, që i mori jetën 10 shtetasve nga Kosova, më i riu prej të cilëve 18 vjeç.

Drilon Muji rrëfeu për RTL se kishte vizituar babanë në Gjermani dhe po kthehej në shtëpi. Kur ndodhi aksidenti, ai ishte në gjumë dhe u zgjua nga goditja dhe britmat e pasagjerëve të tjerë. “Unë rashë nga kati i dytë i autobusit me gruan time. Gjithçka ra poshtë. Të gjithë ne që ishim afër dritares, fluturuam jashtë”, rrëfeu një tjetër i mbijetuar, Ramë Gashi.

Shoferit të autobusit nga Kosova, i cili u kthye në shkaktarin e tragjedisë pasi e zuri gjumi në timon, i është masa e 30 ditëve paraburgim. Gjykatësi i çështjes, Mille Solldo, argumentoi se paraburgimi është caktuar për shkak të rrezikut që i dyshuari mund të arratiset.

“Procedurat do të zhvillohen në Kroaci. Por, sipas marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Kroacisë, ekziston mundësia ligjore që procedura të zhvillohet edhe në Kosovë. Por, për këtë duhet pajtimi i dy shteteve. Mbrojtja mund ta kërkojë një gjë të tillë, por propozimi duhet të bëhet nga shteti”, u shpreh ai. Shoferi vetë ka zgjedhur deri tani të mbrohet me heshtje. Gjatë ditës, pritet të merren në pyetje edhe disa dëshmitarë.

Top Channel