Dy familje në Farkë morën çelësat e shtëpive të reja më të forta dhe me kushte më të mira e më cilësore se ato që u shembën nga tërmeti.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vizitoi familjet e vëllezërve Bardhi, përkatësisht me 4 dhe me 5 familjarë secila që hynë në shtëpitë e sapondërtuara. Veliaj u shpreh krenar për punën e bërë në kohë rekord në mënyrë që familjet e fundit shtëpitë e të cilave u dëmtuan nga tërmetet, të hyjnë në banesat e reja.
“Sot them me plot gojën që Farka është vendi i mundësive. 118 shtëpi janë bërë. Ne do ta përfundojmë verën me kryerjen e të gjithë punimeve në shtëpitë individuale. Fakti që sot njerëzit jo vetëm i kanë shtëpitë më të mira, jo vetëm i kanë më dinjitoze, jo vetëm i kanë më të mëdha, por edhe në vende më të mira. Besoj që edhe si vlerë, jo vetëm për nga vendndodhja, por edhe cilësia e punimeve, sot secili është gdhirë më i pasur se ç’ishte dje. Me një shtëpi që vlen më shumë në treg, se sa vlente dje”, nënvizoi Veliaj.
Më tej kryebashkiaku tha se po vijohet me ritme të shpejta për ndërtimin e lagjeve të reja te “5 Maji”, ndërsa dha lajmin e mirë se Ambasada Amerikane po kontribuon në ndërtimin e një shkolle të re në zonën e Farkës së Madhe.
“Fati i madh është që kemi ecur shumë mirë edhe me lagjet e reja. Po mbarojmë pallatet e para tek “5 Maji”. Janë 3500 apartamente që do të akomodojnë ata që gjatë kësaj kohe kanë qenë me bonos qiraje, pra për të mos u sfilitur nëpër çadra, nëpër palestra, nëpër kontejnerë, por për t’u sistemuar në një shtëpi me qira, derisa të ndërrojnë qiranë e një shtëpie me çelësin e shtëpisë së re, që do të jetë edhe shtëpia e tyre definitive. Ndërkohë që është lajm fantastik. Unë nuk e dija. E dija që ambasada amerikane po kontribuonte me një shkollë, por nuk e dija që ishte shkolla e Farkës, edhe i shtohet një buqete të 20 shkollave që po marrin drejtim në Tiranë”, nënvizoi Veliaj.
Bujari, një prej kryefamiljarëve tha se shtëpia e re ka ndryshim si dita me natën me shtëpinë e vjetër që kishin. “Ka qenë jashtëzakonisht keq shtëpia e vjetër. Ndërtimi u bë jashtëzakonisht shpejt, në kohë rekord”.
Familja e Bujar Bardhit me katër anëtarë dhe e Defrim Bardhit me pesë anëtarë hynë në shtëpitë e reja të ndërtuara falë programit të Rindërtimit, më të forta, me materiale cilësore dhe me hapësira më të mëdha e me kushte më të mira se më parë.
Top Channel