“Të hënën vijnë edhe 44 mijë vaksina Pfizer”/ “Delta” në Shqipëri? Manastirliu: Vaksinohuni sa më parë!

23/07/2021 11:03

Sot është dita e pestë e javës së hapur për vaksinimin e personave +18 vjeç në çdo komunitet, për t’i dhënë mundësi sa më shumë qytetarëve për tu mbrojtur nga Covid-19, ndërsa shihet një rritje e interesit për vaksinimin mes të rinjve.

Ministrja e Shëndetësisë, e cila ndoqi nga afër vaksinimin me njësitë e lëvizshme në Ndroq, tha se ka dyshime që varianti Delta është duke qarkulluar në Shqipëri, por janë ende në pritje të rezultateve të laboratorëve të referencës.

“Javët e hapura do të vijojnë. Rritja e numrit të vaksinave, na krijon mundësinë që vaksinimi të vazhdojë. Ditët e fundit është rritur mbulimi me vaksinat për të gjitha moshat. Kemi një rritje të lehtë të rasteve pozitive. Kemi dyshime se në Shqipëri qarkullon varianti Delta, por jemi në pritje të rezultateve të laboratorëve të referencës për ta vërtetuar këtë dyshim tonin. Nisur nga ajo që po ndodh përreth shihet se ka një rritje të qarkullimit të këtij varianti”, tha Manastirliu.

Duke folur për interesin në rritje për vaksinimin anticovid edhe mes të rinjve, Manastirliu tha se do të ketë sërish javë të hapura të vaksinimit masiv +18 vjeç.

“Javët e hapura të vaksinimit do të vijojnë. Fakti që kemi disponibilitet dhe lloje të ndryshme vaksinash në të gjitha strukturat tona shëndetësore na krijon mundësinë që të vazhdojmë vaksinimin për çdo grupmoshë. Sigurisht që këto ditë kanë treguar që vaksinimi i hapur ka funksionuar. Ditët e fundit kanë treguar që është rritur mbulimi me vaksina për të gjitha grupmoshat dhe shihet një interes në rritje edhe për grupmoshën e re, pra +18 vjeç”, tha Manastirliu.

Duke folur për disponibilitetin e vaksinave, Manastirliu bëri me dije se ditën e hënë do të mbërrijë në vendin tonë një tjetër sasi e vaksinës Pfizer.

“Ne jemi në pritje ditën e hënë për të vijuar furnizimin me vaksina. Do të kemi rreth 44 mijë doza të vaksinës Pfizer ditën e hënë, në vijim të kontratës që ne kemi, të qeverisë shqiptare me kompaninë Pfizer si edhe të mbështetjes së Bashkimit Europian. Ndërkohë që do të vijojmë që të rrisim sasinë e vaksinave në vend, në sajë të kontratave që kemi lidhur”, tha Manastirliu.

Në 24 orët e fundit janë kryer mbi 14 mijë vaksinime, ndërkohë që prej fillimit të procesit të vaksinimit, janë kryer 1,109,785 vaksinime në të gjithë vendin. Vaksinimi i hapur do të vijojë deri ditën e dielë, nga ora 08:00-20:00 në qendrat shëndetësore dhe në qendrat e vaksinimit të përqendruar në të gjithë vendin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA