Përmbytje të befasishme në Turqi/ Ndërhyhet në kohë, asnjë viktimë

23/07/2021 15:38

Rreth 200 persona u evakuuan pas përmbytjeve të befasishme në lindje të Turqisë.

Reshjet e dendura të shiut bënë që lumi Arhavi të dilte nga shtrati duke prekur qendrën dhe rrugët e provincës Artvin, njoftoi Autoriteti Turk i menaxhimit të Emergjencave dhe Katastrofave. 6 persona të rrezikuar në zonën Arhavi dhe 9 të tjerë në Murgul u arrit të shpëtoheshin në kohë e të dërgoheshin në vende të sigurta, thotë shtypi vendas.

Ministri i shëndetësisë Fahrettin Koca shkroi në Twitter se një burrë i nxjerrë nga gërmadhat në Arhavi u dërgua me urgjencë në spital, por gjendja e tij është e stabilizuar. Ministri i brendshëm, Süleyman Soylu dhe ai i transportit dhe Insfrastruktuës, Adil Karaismailoğlu u nisën me urgjencë drejt zonës së përmbytur, ku ka pasur dhe ndërprerje të energjisë elektrike.

Mbërriten nga ana tjetër dhe raporte për 18 persona, ndër të cilët 8 fëmijë qe kishin mbetur të bllokuar në ujëvarën Mencuna, por edhe ata u arrit të shpëtoheshin. Një tjetër provincë ndërkohë, ajo e Rizës nuk ishte kaq me fat. Reshjet e furishme shkaktuan atje rrëshqitje dheu javën e kaluar, të cilat morën 6 jetë njerëzish, ndërsa dy të tjerë rezultojnë të zhdukur.

Top Channel