Nisin Lojrat Olimpike të Tokios, ceremoni madhështore me stadiumin bosh!

23/07/2021 15:47

Janë arena e përballjes së më të mirëve, por edhe një mundësi për spektakël: show gjigand që ka shoqëruar në kohë çeljen e Lojrave Olimpike, është shansi më i mirë që ka vendi organizator për të shpalosur më të mirën e kulturës së tij.

Por Japonisë, pandemia ia zbehu një mundësi të tillë. Ceremonia e celjes së Olimpikeve në Tokio nisi me një stadium gati të zbrazët në qytetin që vazhdon të luftojë me rastet në rritje të infektimeve. Në homazh të viktimave të kësaj sëmundje, u mbajt dhe një minutë heshtje.

Eventi nisi në  20:00 me orën lokale, në prani të më pak se 1.000 personave në një stadium që ka kapacitet për më shumë se 68,000 vetë. Sipas organizatorëve, vetëm rreth 15 udhëheqës globalë ishin të pranishëm në ceremoni – mes tyre edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Dy javë më parë, u vendos që të ndalohej gati plotësisht pjesëmarrja e spektatorëve në ngjarjet olimpike, pasi Tokio u detyrua të shpallte gjendjen e re të jashtëzakonshme prej Covid 19. Rreth 90 njerëz të akredituar për Olimpiadë, përfshirë disa atletë, kanë rezultuar pozitive.

Atletët janë po kështu nën kufizime të rrepta. Ata duhet të mbajnë maskë në fytyrë gjatë gjithë kohës – përveç kur hanë, pinë, stërviten, garojnë ose flenë – dhe të minimizojnë ndërveprimin fizik me të tjerët, si dhe të testohen çdo ditë për koronavirus. Lojrat Olimpike Verore 2020 u shtynë nga viti i kaluar pikërisht për shkak të pandemisë. Ato përfundojnë në 8 gusht, e disa ditë më vonë, do të nisin Lojrat Paralimpike.

Top Channel