Takimi i dytë mes presidentit serb, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, përfundoi edhe më keq se i pari.
Përballja në Bruksel qe edhe më e shkurtër nga sa u parashikua, për faktin e thjeshtë se palët nuk u pajtuan në pothuajse asnjë pikë, e madje nuk munguan as fjalët e rënda të dy liderëve në adresë të njëri-tjetrit. Në fytyrën e të dërguarit të BE-së, Miroslav Lajçak, zhgënjimi lexohej qartë.
Miroslav Lajçak: Takimi ishte i vështirë dhe tregoi qasje shumë të ndryshme nga palët përsa i takon normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Për rrjedhojë, nuk arritëm veçse shumë pak progres. U diskutuan një sërë propozimesh konkrete, por i vetmi rezultat që unë mund t`ju raportoj sot, është se dialogu do të vazhdojë.
Vuçiç u ankua pas takimit se kryeministri refuzoi të nënshkruajë dokumentin për stabilitet e siguri. Pala e Prishtinës është jo serioze”, bisedimet “nuk janë të vështira, por të tmerrshme”, tha kreu i shtetit serb.
“Kam folur edhe me Hashim Thaçin, Isa Mustafën, Avdullah Hotin e Ramush Haradinajn, por asnjëherë nuk i kam dëgjuar këto që po dëgjoj tani. Gjithmonë kanë kërkuar njohjen nga Serbia, gjithmonë ka qenë vështirë, por të paktën për diçka jemi marrë vesh. Ndërsa tani, nuk merremi vesh as cila ditë e javës është”, u shpreh ai. Kurti paraqiti një tablo tjetër. Pengesa sipas tij, ishin pikërisht të dërguarit e Beogradit. “Ne paraqitëm në takim një marrëveshje të balancuar prej gjashtë nenesh, për paqe mes Serbisë dhe Kosovës, e cila u refuzua, pa u lexuar fare”, tha kryeministri. Pala kosovare ka insistuar që në dokumentin ku flitet për të pagjeturit, të futet edhe togfjalëshi – “ballafaqimi me të kaluarën”.
Por as kjo kërkesë nuk është pranuar nga pala serbe, ndonëse “në një formë të zbutur është pranuar nga ndërmjetësi, Josep Borrell”.
“Unë nuk e kuptoj pse duhet t’i frikësohemi kaq shumë ballafaqimit me të kaluarën, kur e dimë se problemet i kemi nga e kaluara. Vetëm nëse dikush, pra pala tjetër, ka probleme edhe vet me këtë të kaluar”, theksoi Kurti, duke shtuar se: “Duket që kryetari i Serbisë e sheh shumë personale çështjen e të kaluarës”.
Top Channel