Me Fabio Paraticin si drejtor sportiv, Tottenham e ka përqendruar vëmendjen nga tregu italian, pasi janë të paktën dy futbollistë në listën e preferencave të klubit londinez.
Bëhet fjalë për portierin e Atalantës, Pierluigi Gollini, i cili pas ardhjes së argjentinasit Musso, nuk e ka vendin e sigurt te bergamaskët, ndaj është i prirur të largohet drejt një klubi që mund t’i garantojë minuta.
Nga ana tjetër edhe londinezët janë në kërkim të një portieri të gatshëm të marrë gradualisht vendin e veteranit francez Hugo Lloris dhe sheh 26-vjeçarin italian si profilin ideal, ndaj ka nisur negociatat me Atalantën.
Formula e transerimit është ajo e huazimit një vjeçar, me të drejtë blerjeje për 15 milionë euro, që mund të shndërrohet edhe në detyrim blerjeje nëse gardiani italian arrin të plotësojë një numër të caktuar ndeshjesh.
Ndërkohë sa i përket repartit të mbrojtjes, ëndrra e “Spurs”-ave është sllovaku i Interit, Milan Skriniar, por zikaltrit nuk kanë ndërmend ta shesin, ndaj Paratici ka kthyer sytë nga japonezi i Bolognës, Takehiro Tomiyasu, i cili ka bërë mjaft mirë dy sezonet e fundit.
Mbrojtësi 23-vjeçar është i angazhuar me Japoninë në Lojërat Olimpike, ndërsa drejtuesit e Bolognës kanë pranuar se përveç Tottenhamit, edhe tre klube të njohura italiane kanë shprehur interes për kartonin e tij./SuperSport/
Top Channel