Të ftuarit e radhës në “Pushime On Top”, ishin aktori dhe ish-spikeri i njohur, Artion Vreto më bashkëshorten e tij, Alberta Vreton.

Të qeshur dhe shumë sportivë, çifti zbuloi disa detaje nga marrëdhënia e tyre, por nuk munguan as situatat komike nga Artioni, në kohën kur ai ishte spiker.

“Unë kostumin dhe kollaren se kam duruar ndonjëherë, por kam gjithë jetën me kostum e kollare për shkak të lajmeve, për shkak të punës.

Atëherë, që të isha gati sa më shpejt, edhe për t’u nisur për në Dhërmi, poshtë vishja pantallona të shkurtra edhe sandale, lart isha me kollare, me kostum, me këmishë. Një figurë karagjoze komplet kur dilja nga tavolina, por mirë që tavolinat atëherë nuk ishin prej xhami dhe nuk dukej“, rrëfen Artioni.

Por, pse Artioni vendosi të shkëputej nga media? “Erdhi një moment dhe thashë: u lodha. Unë nuk jam shumë tipi i rrjeteve sociale. Alberta (gruaja) më akuzon gjithmonë që ti nuk merresh. Dhe i thashë vetes, ok nuk jam i mirë me rrjetet sociale? Mirë, po merrem me disa gjëra të tjera që i bëj me aq pasion sa bëja dikur televizionin”, u shpreh Artioni.

Alberta rrëfeu se ajo e ka dashur shumë Artionin në ekran.

“Mua më vjen më shumë keq sesa atij që nuk është në ekran, Kur u largua Artoni nga ekrani e vuajta më shumë sesa kur u largova vetë nga televizoni. Vetëm fakti që isha mësuar që çdo mëngjes binte zilja dhe ky nuk çohej, pastaj binte prapë dhe ky nuk çohej, pastaj duhet t’i fusje shkelmin t’i thoshe çohu se vajti ora (qesh). Unë e kam dashur shumë Artionin në ekran, ndryshe nga pjesa sesi e kam dashur në jetë dhe mendoj që është nga ata njerëz që ekrani e do shumë. Mendoj se i mungon“, u shpreh Alberta.

Top Channel