Kurti e Vuçiç në Bruksel, serbët ndihen euforikë

19/07/2021 14:19

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, takohen sërish sot në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Europian.

Ky do të jetë takimi i dytë mes dy liderëve. I pati u mbajt në 15 qershor, kur rinisi zyrtarisht procesi i dialogut, i ndërprerë shtatorin e vitit 2020. Ajo përballje megjithatë nuk tregoi gjë tjetër përveçse mes palëve ka dallime të mëdha. Siç njoftoi zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, bisedimet e sotme do të përqendrohen në përparimin e arritur si dhe për hapat e mëtejmë në procesin e dialogut.

Beogradi zyrtar insiston që Prishtina të zbatojë Marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Ndërsa, Prishtina zyrtare thekson se një numër i marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut, nuk po zbatohen si duhet nga Beogradi, duke përmendur marrëveshjen për kontrollin e kufirit, atë për njohjen e diplomave, për certifikatat e mallrave, lirinë e lëvizjes si dhe marrëveshjen për fusnotën.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç javën e kaluar tha se delegacioni serb po shkon në këtë takim në Bruksel me “besimin më të madh” , por shtoi se nuk ishte i sigurt nëse përparimi është i mundur. Ky do të jetë takimi i fundit i nivelit të lartë në kuadër të dialogut për pjesen e parë të këtij viti, pasi në institucionet evropiane zyrtarisht nis sezoni i pushimeve verore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA