Massimiliano Allegri kërkon një “regjisor” për lojën e tij dhe dëshiron ta ketë në dispozicion sa më shpejt, për t’i transmetuar idenë e tij të lojës, ndaj drejtuesit e klubit janë vënë në lëvizje për të rikthyer sërish boshnjakun Miralem Pjanic.

Ky i fundit u largua vetëm verën e kaluar drejt Barcelonës, ku nuk arriti të lërë gjurmë dhe pas një sezoni në pankinë, po kërkon për një tjetër sistemim, megjithatë përkundër atyre që shkruajnë mediat spanjolle, drejtuesit e klubit katalan nuk kanë ndërmend ta lënë të lirë, pasi shpenzuan rreth 60 milionë euro për kartonin e tij një vit më parë.

Pikërisht për këtë arsye, drejtori sportiv i Juventusit, Cherubini u ka propozuar spanjollëve një shkëmbim kokë më kokë me mesfushorin uellsian Aron Ramsey, i cili gjithashtu nuk bën pjesë në planet e bardhezinjve dhe ka shprehur dëshirën për t’u larguar.

Problem për momentin mbetet vetëm paga e Ramsey, pasi Barcelona ka detyrimin për të ulur zërin e rrogave në bilanc dhe për këtë nuk mund t’i ofrojë uellsianit 8 milionë eurot neto që përfiton ai aktualisht te Juventusi.

Një tjetër objektiv i bardhezinjve për mesfushën është futbollisti kampion Europe me Italinë, Manuel Locatelli. Mesfushori i rritur te Milani në dy sezonet e fundit ka shkëlqyer te Sassuolo e Italia dhe Allegri e pret krahëhapur te Juventusi.

Së fundi është mbajtur edhe një takim mes drejtuesve të dy klubeve, por oferta e Juventusit ëshjë ende larg pretendimeve të Sassuolos, të cilët vetëm dy ditë më parë kanë marrë edhe një ofertë zyrtare prej 45 milionë eurosh nga anglezët e Arsenalit.

Vetë Locatelli dëshiron qëndrimin në Serinë A dhe për këtë arsye Sassuolo i ka dhënë kohë Juventusit që të përmirësojë ofertën, për të barazuar Arsenalin, në mënyrë që transferimi të kompletohet.

Po sa i përket mesfushës, ditën e premte i është nënshtruar një operacioni në këmbën e djathtë edhe braziliani Arthur, teksa sipas mjekëve të klubit bardhezi, tani do t’i duhen rreth 3 muaj për t’u rikuperuar plotësisht.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA