Sot Kosova ka arritur të kthejë 11 shtetas nga zonat e konfliktit në Siri. Për këtë ngjarje ka reaguar ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla.
Ai thotë se Kosova është krenare që është lider global në luftën kundër ekstremizmit dhe terrorizmit duke e kryer më së miri përgjegjësinë, jo vetëm ndaj qytetarëve tanë, por edhe si anëtarë të Koalicionit Global për të mposhtur ISIS-in.
Reagimi i plotë i Sveçlës:
Kosova është krenare që është lider global në luftën kundër ekstremizmit dhe terrorizmit. Sot, ne kemi kthyer 11 shtetas të Kosovës nga zonat e konfliktit në Siri.
Duke i kthyer këta persona, ne jemi duke ushtruar përgjegjësinë tonë, jo vetëm ndaj qytetarëve tanë, por edhe si anëtarë të Koalicionit Global për të mposhtur ISIS-in. Kosova gjithmonë do të jetë shtëpia e qytetarëve të saj. Ata të cilët kanë kryer krime, këtu apo jashtë, do të ndiqen penalisht.
Gruaja dhe fëmijët që kemi kthyer sot kanë nevojë për ndihmën dhe mbështetjen tonë. Ne kërkojmë nga të gjithë që të respektojnë privatësinë e tyre në ditët, javët dhe muajt në vazhdim. Ata kanë dhe meritojnë të kenë kohën dhe hapësirën e nevojshme që të adaptohen. Qeveria jonë është duke i ndihmuar që të kthehen në familjet e tyre, në mënyrë që ata të riintegrohen në rrethin e tyre.
Ne nuk do të ndalemi së shërbyeri qytetarëve tanë!
Top Channel