Ishulli Samos në flakë/ Evakuohen banorët, por edhe pushuesit nga hotelet

17/07/2021 01:33

Për të dytën ditë dhjetëra zjarrfikës po përpiqen për të vënë nën kontroll një zjarr të madh pranë një prej vendpushimeve më të njohura turistike në ishullin lindor të Egjeut Samos.

Flakët kanë detyruar autoritetet të japin urdhër për evakuimin e shtëpive dhe hoteleve në Kokkari, vendpushim turistik në bregdetin verior të ishullit. Më shumë se 120 zjarrfikës, me 40 mjete dhe 11 avionë zjarrfikës dhe helikopterë marrin pjesë në operacionin për fikjen e vatrave të zjarrit, ndërkohë që një anije nga Pireu ka sjellë 52 zjarrfikës me 22 mjete të tjera.

Sipas autoriteteve vendore që kanë kërkuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme vatra e zjarrit është me gjatësi prej disa kilometrash, ndërsa janë djegur me mijëra hektarë.

Është vërtet tragjik fakti që ishulli i Samos digjet thuajse çdo vit në dy dekadat e fundit. Vetëm prej vitit 2000 deri në 2010 janë djegur 16000 hektare toke pyjore. Greqia vuan prej vitesh të përballojë zjarret e shumta për shkak të temperaturave të larta, erërave të fuqishme, relievit të papërshtatshëm, mungesës së organizimit apo mjeteve, megjithëse ka një shërbim zjarrfikës tepër të kualifikuar.

Prej zjarreve më vrastare mbahen mend ato në Mati në 2018 ku humbën jetën me shumë se 100 vete dhe në Peloponez në 2007 me më shumë se 60 viktima.
Vetëm në tre ditët e fundit në gjithë Greqinë, ndërsa temperaturat janë tepër të larta dhe era e fuqishme pengon operacionet, shërbimi zjarrfikës sipas njoftimeve të tij në Twitter ka marrë pjesë në 320 fikje zjarri në qendra banimi dhe tek 141 zjarre në pyje.

Zjarret më të fuqishme në ditët e fundit kanë qenë ato që u vunë nën kontroll në pak orë në pyllin e famshëm të Selanikut Seikh Su si dhe në Varnava në periferinë e Athinës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA