Në një video mesazh të disa ditëve më parë sekretarja britanike për punët e brendshme Priti Patel angazhohej për një luftë frontale ndaj krimit të organizuar shqiptarë të përfshirë në trafikun e kokainës në Britaninë e Madhe.

Për të ilustruar dominimin e tregut të kokainës nga grupet shqiptare në Angli, gazeta Daily Mail i ka kushtuar një reportazh se si shkoi keq trafiku 260 kile kokainë mes dy grupeve kriminale dhe ai që e pësoi ishte Jan Prenga i marrë peng në Kamëz.

“Gjakmarrje pas hekurave” ky është titulli i shkrimit ku tregohet historia se si dy gangsterë shqiptarë të pashpirt, u përfshinë në një marrëveshje për një sasi droge me vlerë 20 milion stërlina, e si pasojë u ndërmor një rrëmbim brutal.

E gjitha kjo thotë Daily Mail një dramë mafioze ku dy prej aktorëve kryesor Dritan Rexhapi dhe Astrit Prenga njëri në burg në Ekuador dhe tjetri në një burg anglez, prodhuan fundin tragjik të një personi të pafajshëm që ishte Jan Prenga.

Gazetarët Richard Pendlebury dhe Stephen Wright pasi kanë siguruar dosjen hetimore i sjellin lexuesve britanik kronologjinë e rrëmbimit dhe zhdukjes së trupit të Jan Prengës, pasi vëllai i tij nuk çoi në destinacion 260 kile kokainë të sjella deri në portin e Portsmuthit prej Dritan Rexhepit për llogari të dy grupeve kriminale nga Shkodra dhe Shijaku.

Gazetarët anglezë thonë se ka skepticizëm në Angli që sekretarja e shtetit Priti Patel do të angazhojë burimet e duhura njerëzore, për të luftuar rrjetet e ngushta e të papenetrueshme të trafikantëve shqiptarë të kokainës në Angli.

Një zëdhënës i NCA Agjencisë Britanike kundra krimit të organizuar i tha Daily Mail se “ne jemi në dijeni të kësaj ngarkese kokaine dhe rrëmbimin e

Jan Prengës dhe besojnë se vdekja e tij ka të bëjë me mosmarrëveshjet për këtë sasi droge. Ne vijojmë të bashkëpunojmë me autoritetet për këtë incident. Ne e kemi të pamundur të konfirmojmë apo mohojmë arrestimin Astritit vëllait të Jan Prengës në Angli”.

Gazetarët Richard Pendlebury dhe Stephen Wright theksojnë në këtë shkrim se mbetet e paqartë se çdo të ndodhë me Dritan Rexhepin në përfundim të dënimit në Ekuador.

“Ai në përfundim të dënimit në Ekuador me të gjitha gjasat mund të ekstradohet të Shqipëri të vuaj dënimin për vrasje. Drejtësia italiane po ashtu dëshiron ta ketë në burgjet e saj për akuza trafiku droge e vrasje. Po a e ka një as nën mëngë edhe kësaj here “Mbreti Arratisjeve?.

Ndërkohë në Shqipëri hetimet për rrëmbimin e Jan Prengës duket janë në vend numëro.

Personat e shpallur në kërkim si urdhëruesit dhe ekzekutorët e pengmarrjes vijojnë të jenë të lirë e shpallur në kërkim.

Të arrestuarit në Kompleksin Golden në Shijak Leonard Hajri, Ardian Docaj, Bajram Hajri dhe Olsi Turja janë lënë nga gjykata në arrest shtëpie ose detyrim paraqitje.

Vetëm kopshtari i fiksuar nga kamera e sigurisë me lopatë në dorë kur trupi Jan Prengës futen në një furgon të bardhë, Festim Bexhdili ka mbetur në burg.

Prokurorët shpresonin që njërin prej të arrestuarve ta kthenin në bashkëpunëtor të drejtësisë por nuk ia dolën.

Heshtja e të arrestuarve lidhet me faktin se nëse do të gjendej trupi Jan Prengës ata do të viheshin nën akuzë për vrasje në bashkëpunim e rrezikuar burg përjetë.

Me akuzat aktuale të ngritura për ta që kanë të bëjnë me pengmarrje i shpëtojnë burgut përjetë.
Prej shkurtit 2020 Prokuroria e Tiranës ia kaloi çështjen SPAK.

Familja e Jan Prengës i ka lidhur shpresat për të marrë drejtësi nga prokurorët e SPAK Altin Dumani dhe Behar Dibra.

Duke marrë në konsideratë volumin e madh të hetimeve anti-korrupsion të prokurorëve Dumani dhe Dibra, familja Prenga shpreson që këtë çështje mos ta zërë pluhuri harresës si pasojë e prioritetit të hetimeve anti-korrupsion.

Top Channel