Manipuluan me ‘Photoshop’ dokumentet për 2000 metra katror tokë në bregdet, Gjykata e Durrësit merr vendimin për juristin dhe biznesmenin

16/07/2021 17:35

Gjykata e Durrësit ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për juristin e Kadastrës Mikel Zaho dhe  biznesmenin Iljas Fisheku.

Të njëjtën masë sigurie vendosi edhe për Erion Alikon, ndërsa Rakip Haxhiu do të vijojë të qëndrojë në masën shtrënguese ”arrest në shtëpi”. Ditën e sotme, gjykata verifikoi kushtet për respektimin e  zbatimit të vendimit penal të datës 10 korrik për këta katër shtetas të akuzuar për tjetërsimin e 2000 m2 në bregdet.

Ata u arrestuan 2 ditë më parë, pas një hetimi 6 mujor nga prokuroria e Durrësit. Gjykata vendosi t’i lërë të katërt nën të njëjtat masa shtrënguese të vendosura paraprakisht në mungesë dhe të ekzekutuara nga policia e Durrësit.

Juristi Mikel Zaho 43 vjeç akuzohet për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentash, ndërsa 3 të arrestuarit e tjerë akuzohen për veprat penale të falsifikimit të dokumentave dhe mashtrimit.

Përmes dokumenteve të falsifikuara dhe përdorimit të ‘photoshopit’ këta persona kanë aplikuar dhe kanë regjistruar në Hipotekën e Durrësit një pasuri të paluajtshme prej 2000 m2, tokë truall, dhe mbi të 550 m ndërtesë, në zonën bregdetare të Vrinjës, afër Mbikalimit të Plepave në emër të shtetasve Erion Aliko dhe Rakip Haxhiu, po që në realitet kjo pasuri e paluajtshme do të përfitohej nga biznesmeni Iljas Fisheku.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA