Gjenden baktere potencialisht kontaminuese të ujit në Deçan

15/07/2021 16:08

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) bëri të ditur se nga mostrat e ujit, të marra në Deçan më 12 korrik, janë identifikuar disa baktere që “mund të japin indikacion për kontaminim të ujit të pijshëm”.

Institucionet shëndetësore në Deçan, qysh në fundjavë, janë duke u përballur me fluks pacientësh, që raportojnë simptoma të helmimit.

Sipas të dhënave të Drejtorisë së Shëndetësisë në këtë komunë, mbi 1,500 persona kanë kërkuar ndihmë në Qendrën e Mjekësisë Familjare.

Ekzaminimet mikrobiologjike në mostrat e pranuara nga pacientët me shenja të infeksionit janë duke vazhduar, tha të enjten IKSHPK-ja.

“Ekipet e IKSHPK-së nga të gjitha rajonet e Kosovës vazhdojnë punën në terren, duke punuar intensivisht në gjetjen e shkakut të shpërthimit epidemik”, thuhet në komunikatë.

Një ditë më herët, ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Arben Vitia, tha se disa mostra të pacientëve të helmuar në Deçan do të testohen jashtë Kosovës.

Deçani furnizohet me ujë nga ujësjellësi rajonal “Hidrodrini”.

“Hidrodrini” furnizon me ujë edhe komunat: Pejë, Istog, Klinë dhe Junik./REL/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA