Parregullsitë dhe shkeljet në tendera po çojnë në rrjetën e SPAK dhjetëra zyrtarë. Me gjithë rekomandimet dhe ndryshimet ligjore, procedurat tenderuese zhvillohen në mangësi të mëdha dhe në mungesë konkurrence.

Dobësitë dhe problematikat në sistemin e prokurimit publik konstatohen edhe nga vetë qeveria. Në auditimin e kryer për vitin 2020 dëmi ekonomik në buxhetin e shtetit përllogaritej në 1.2 miliardë lekë apo rreth 10 milionë euro, nga të cilat 45% e tij është konstatuar në prokurimin publik.

Nga analiza e kryer konstatohen shkelje në procedurat e tenderimit dhe zbatimit të kontratave, tejkalim të hapave ligjorë kryesisht për blerjet me vlerë të vogël si dhe raste konkrete të blerjeve vetëm nga një operator ekonomik.
E në fakt, edhe KLSH herë pas here ka ngritur këtë shqetësim dhe në raportin për vitin 2020 ky institucion konstatonte se nga 5049 procedura prokurimi, rreth 33% e tyre janë zhvilluar vetëm me një ofertues.

Gjetje të tjera përfshijnë shkelje të nënshkrimit të kontratës duke ndryshuar kriteret e përcaktuara në dokumentet e tender më të cilat është shpallur fitues subjekt.

Parregullsi në auditin e qeverisë janë evidentuar edhe lidhur me përllogaritje të paargumentuara të fondit limit dhe vonesa në dërgimin e kontratave pranë degëve përkatëse të thesarit, që përcakton dërgimin e tyre pas 3 ditëve nga data e nënshkrimit.

Për vitin 2020 ky tregues është vlerësuar mesatarisht 1.8 pikë nga 4 pikë të mundshme duke reflektuar një situatë jo të kënaqshme, duke mos bërë përmirësim në raport me 2019-ën, ku mangësitë më të mëdha evidentohen te bashkitë.

Sipas auditimit, sistemi i prokurimeve vlerësohet si një nga fushat me riskun më të lartë që ka nevojë për përmirësime të sistemit të kontrollit dhe menaxhimin e tyre.

Top Channel