Pallati problematik në Gjirokastër/ Në vjeshtë nis ndërhyrja, 15 familje në rrezik nga rrëshqitja

14/07/2021 14:25

Në vjeshtë pritet të fillojë ndërhyrja për ndërtimin e pritës mbrojtëse pranë pallatit 5-katësh në lagjen “ Punëtori” në Gjirokastër.

Objekti i ndërtuar në fund të viteve 80 mbi një kodër shtufi në këtë lagje u kërcënua nga disa rrëshqitje masive përgjatë 20 viteve të fundit. Rrëshqitja më kritike ishte ajo e vitit 2018 që erdhi pas ndërhyrjes me ndërtime në fundin e kodrës ndërsa zona ishte e klasifikuar prej vitesh si e brishtë dhe e papërshtatshme për ndërtime.

Shtrati i rrëshqitjes që ka ardhur duke u zgjeruar me vitet dhe riaktivizohet në kohë me reshje ka nxitur shpesh diskutime për evakuimin e mundshëm të banorëve.

Fondi prej 64 milionë lekësh të reja financuar nga qeveria shqiptare do të zbatohet përgjatë katër muajve dhe do të stabilizojë kodrën ku është vendosur pallati me mure mbrojtëse dhe pilota betoni.

Janë 15 familje të pallatit 5-katësh dhe banorët e një vile 2-katëshe që rrezikohen nga rrëshqitja ndërsa një tjetër vatër aktive shumë kritike rrëshqitjeje në Gjirokastër në lagjen Kodra e Shfufit u stabilizua me të njëjtën metodë. Edhe banorët e një kompleksi banesash karakteristike në lagjen Cfakë të vendosura buzë një përroi që rrezikojnë prej vitesh rrëshqitjen presin ndërhyrjen prej projektit të by passit të Gjirokastrës që do të kalojë buzë përroit dhe parashikon stabilizimin edhe të rrëshqitjes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA