Disa mostra të të helmuarve në Deçan do të testohen jashtë Kosovës

14/07/2021 17:02

Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia, ka njoftuar se të mërkurën është marrë vendimi për të kryer analiza shtesë të disa mostrave të pacientëve të helmuar ditë më parë në Deçan.

“Sot janë përgatitur edhe një numër mostrash, të cilat shumë shpejt priten të dërgohen jashtë vendit për analiza më specifike, të cilat nuk mund të kryhen në Kosovë”, ka thënë Vitia.

Sipas tij, situata tani është më e qetë dhe ka më pak fluks të pacientëve që po kërkojnë ndihmë.

Në një konferencë për media të mbajtur po ashtu të mërkurën, kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, se autoritetet janë në pritje të analizave shtesë, për të kuptuar shkakun e saktë të helmimit të qytetarëve.

Megjithatë, ai ka përmendur që në qershor të këtij viti, autoritetet janë përballur me një rast të ngjashëm.

“Ne kemi pasur një situatë të tillë në dhjetëditëshin e parë të muajit qershor, me banorët e fshatit Krushevc, që është fshat i Pejës, por që furnizohet nga një burim i ujit që është nga Deçani. Kemi ftuar në takim Hidrodrinin dhe Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, dhe brenda ditës ata na kanë dhënë një analizë kimike që uji është në gjendje të rregullt, kurse më vonë kemi pranuar edhe analizën biologjike dhe na kanë raportuar që uji është 100 për qind në rregull”, ka thënë Ramosaj.

Sipas tij, ky rast ka mbetur i izoluar, meqë më pas nuk ka pasur shqetësime tjera, mirëpo ka rritur vëmendjen për situatën e krijuar këtë muaj.

“Kjo gjë na bën që të jemi më të fokusuar dhe më të përkushtuar, që këto analiza të jenë më të detajuara, më të thella, që ta kuptojmë se a ka ndodhur kjo gjë nga uji”, ka deklaruar mes tjerash ai.

Helmimi masiv në Deçan ka bërë që kjo komunë të shpallë gjendje emergjente.

Sipas të dhënave të Drejtorisë së Shëndetësisë në Deçan, nga dita e shtunë në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Deçan, kanë kërkuar ndihmë mbi 1,500 persona, ndërsa qindra prej tyre i kanë simptomat e njëjta të helmimit.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka bërë të ditur të hënën se nga gjashtë mostra të testuara të ujit, në dy prej tyre janë gjetur koloni të dyshimta të baktereve.

Megjithatë, sipas drejtorit të IKSHPK-së, Naser Ramadani, testimet në laborator duhet të vazhdojnë dhe shkaku i saktë i këtij helmimi nuk është përcaktuar ende.

Ujësjellësi rajonal “Hidrodrini” ka porositur të martën qytetarët e komunave të tjera që furnizohen nga ky ujësjellës, që të mos kenë dyshime në cilësinë e ujit.

“Hidrodrini”, përveç Deçanit, furnizon me ujë edhe Pejën, Istogun, Klinën dhe Junikun.

Përveç ministrit Vitia, edhe disa ministra tjerë kanë thënë të mërkurën në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës se, kanë kërkuar hetime për rrjetin e furnizimit të qytetarëve me ujë të pijshëm në Deçan, për të kuptuar nëse ka pasur diku ndonjë lëshim eventual./REL/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA