Gykata Kundër Korrupsionit caktoi masën e sigurisë “arrest shtëpie” ndaj ish zv.ministres së Brendshme Rovena Voda. Ajo dyshohet se ka kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, dhe ka marrë përfitime materiale e monetare.
Voda dyshohet se ushtroi ndikim të paligjishëm tek persona të tjerë që ushtrojnë funksione publike në mënyrë që një shtetase të emërohej punonjëse në shërbimin civil në kategorinë ekzekutive. Burime për Top Channel bëjnë me dije se dyshohet se gjatë kohës që ishte zv.ministre, Voda ka marrë para dhe dhurata për të punësar persona në shtet.
“Nga veprimet hetimore të kryera për këtë procedim penal në bashkëpunim me policinë gjyqësore të Drejtorisë së Policisë së Shtetit, janë siguruar dhe janë mbledhur prova konkrete, nga të cilat janë krijuar dyshime të arsyeshme se shtetësja Rovena Voda në cilësinë e zëvendësministres në Ministrinë e Brendshme ka pranuar dhe ka marrë përfitime monetare dhe përfitime material të padrejta nga shtetaset Majlinda Hasani dhe Florida Beu.
Përfitimet monetare dhe material të padrejta në këtë rast janë dhënë dhe janë pranuar me qëllim që shtetësja Rovena Voda të ushtronte ndikim të paligjshëm tek persona të tjerë që ushtrojnë funksione publike për të favorizuar në mënyrë të padrejtë shtetasen Florida Beu në mënyrë që kjo e fundit të emërohej punonjëse në shërbimin civil në kategorinë ekzekutive”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Ndërkohë, hetimet paraprake për këtë procedim penal janë në vazhdim e sipër dhe nuk kanë përfunduar ende. Në 30 korrik të vitit të kaluar, Rovena Voda u lirua nga detyra si zv.ministre e Brendshme.
Top Channel