Teuta zhgënjen sërish ndaj Sheriffit të Tiraspolit, teksa pas humbjes së thellë 0-4 në “Niko Dovana”, është mposhtur edhe në sfidën e kthimit në Moldavi, këtë herë me rezultatin minimal 1-0, duke i dhënë zyrtarisht lamtumirën Ligës së Kampionëve, që në turin e parë eliminator.

Ndonëse për kualifikimin gjithçka ishte vendosur që në Durrës, pritej që kampionët e Shqipërisë të bënin një reagim krenarie në transfertën moldave, por u shfaqën sërish të pafuqishëm dhe inferiorë ndaj kundërshtarit.

Përveç Dejvi Bregut të larguar, trajneri Edi Martini kishte lënë në stol edhe emra si Aleksi, Jackson e Kallaku, teksa nga minuta e parë luajtën Karabeci, Daja, Gruda e Kotobelli, megjithatë këto ndryshime nuk patën aspak impakt pozitiv në lojë.

Në “Stadionul Sheriff” vendasit e nisën vrullshëm dhe ishte sulmuesi që shënoi golin e katërt në Durrës, maliani Adama Traore, ai që dërgoi topin në rrjetën e portës së Frashërit, që në minutën e 6’ të takimit. E gjithë pjesa e parë u zhvillua nën dominimin e Sheriffit, që kërcënoi disa herë portën e Frashërit, ndërsa nga ana tjetër durrsakët u panë konfuzë në lojë dhe nuk krijuan asnjë rast të rrezikshëm shënimi.

Edhe pjesa e dytë pati pak a shumë të njëjtën tablo loje, me Teutën të paqartë dhe të paaftë për të kërcënuar portën e vendasve, të cilët ulën disi ritmin, por gjithsesi ia dolën të marrin fitoren 1-0 dhe të kualifikohen për në turin e dytë eliminator me rezultatin e përgjithshëm 5-0.

Nga ana tjetër Teuta e mbyll me turp prezantimin në Ligën e kampionëve, pasi jo vetëm që eliminohet nga një kundërshtar modest, por nuk arrin të shënojë asnjë gol, gjithsesi aventura europiane e durrsakëve do të vijojë në Conference League, pasi do të përballet me skuadrën nga Andorra, Inter de Esclades, në turin e dytë eliminator.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA