Përcillet për në banesën e fundit legjenda e qëndresës antikomuniste Uran Kostreci/ PAMJET nga ceremonia mortore

13/07/2021 12:10

Ish i përndjekuri politik, legjenda e qëndresës antikomuniste Uran Kostreci është përcjellë ditën e sotme për në banesën e fundit, pasi ndërroi jetë në moshën 83-vjeçare.

Veç familjarëve, njerëzve të tij të dashur,  në ceremoni ishte i pranishëm edhe Princi Leka.

Mësohet se Kostreci prej ditësh ishte i infektuar nga Covid-19 dhe iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale, e cila rëndoi gjendjen e tij shëndetësore duke i marrë jetën.

Uran Kostreci njihet për Epopenë e karakalecave dhe dëshmitë për burgjet. Ai kaloi 20 vite në burgjet komuniste

Lajmin për ndarjen nga jeta e ka dhënë kryetari i Shoqatës Antikomuniste të Ish-të Përndjekurve, Nebil Çika.

“Shuhet Uran Kostreci! Me pikëllim të thellë jo njoftojmë se legjenda e qëndresës antikomuniste Uran Kostreci ndërroi jetë sot. Në emër tim dhe të përndjekurve politikë antikomunistë të Shqipërisë ju shpreh ngushëllimet familjareve miqve bashkëvajtjeve dhe bashkëluftëtarëve të tij. Qofsh i parajsës vëllai ynë, kampion i qëndresës, asketi i lirisë! Për oraret e ceremonisë funerale do t’iu njoftojmë sapo ti vendosim”, shkruan Çika.

Kush është Uran Kostreci? 

Uran Kostreci lindi më 1938, në Sarandë. Ai u arrestua në 5 gusht 1961. Më 28 tetor 1961, Gjykata Ushtarake e Tiranës e dënoi për «tradhti ndaj atdheut», e mbetur në tentativë, me 15 vjet burg, konfiskimin e pasurisë së luajtshme e të paluajtshme dhe humbjen e të drejtave elektorale për 3 vjet. Më 28 qershor 1973, Gjykata e Matit, e dënoi se «ka fyer përfaqësuesin e pushtetit», dhe se ka bërë «agjitacion e propagandë», me 8 vjet burg. Kreu gjithsej 20 vjet burg, u lirua më 13 qershor 1981. Pas burgut bëri 5 vjet internim, 1983-1988. Ka filluar të shkruajë poezi që në gjimnaz, por nuk mundi të botohej për arsye biografie. Botimet e para i ka filluar pas rënies së regjimit komunist në shtypin e përditshëm. Ka botuar disa vëllime poezi dhe një novelë. Ndër më të njohurat është poema “Epopeja e karkalecave”

FOTO GALERI
1/9

Top Channel