“Kush është për Angli”/ Trafikantët reklamojnë në facebook, çmimi 25000 stërlina

13/07/2021 12:12

Sekretarja e shtetit për punët e brendshme Priti Patel gjatë vizitës në Tiranë kërkoi intensifikimin e luftës ndaj grupeve kriminale që trafikojnë qytetarë shqiptarë drejt Britanisë së Madhe.

Operacioni i një dite më parë nga Europol zbuloi se një rrjet kriminal në Spanjë përmes dokumenteve të falsifikuara kishte trafikuar 400 shqiptarë në Angli.

Krahas përdorimit të dokumenteve të falsifikuara mënyra tjetër klasike e trafikut përmes kamionëve vijon të jetë operacionale.

Në rubrikën “Ti Raporton” në Top Channel kanë mbërritur disa foto të cilat tregojnë se trafikantët pa patur asnjë lloj frike reklamojnë në Facebook biznesin e tyre të trafikut të njerëzve.

“Nesër Nisja për në Angli” “Kush është për rrugë sonte në Angli” “Si kalutë? A është kush për rrugë në Angli”

Këto janë reklamat e vendosura në Facebook përmes të cilave trafikantët lidhen me ata të cilët duan të kalojnë ilegalisht për në Angli.
Madje në një njërën prej tyre, trafikantët kanë publikuar edhe kamionin që përdorin për të fshehur njerëz drejt Britaninë e Madhe.

Policia angleze nga intervistimi personave të kapur ka mbërritur në përfundimin se sot çmimi për një person të trafikuar shkon deri në 25.000 stërlina.

Shumica e personave që synojnë emigrimin në Angli janë adoleshentë të cilët për të paguar borxhin e pagesës së trafikimin kthehen në kontingjent krimi duke punësuar në ato që njihen si shtëpi bari.

Një ekspert i çështjeve bankare në kushtet e anonimatit i tha Top Channel se një portofoli pronave të paluajtshme të një agjencie financiare në Kukës, të lëna në formë kolaterali, sa vjen e shtohet, pas marrjes së kredive nga prindërit për të çuar fëmijët në Angli.

FOTO GALERI
2/4

Top Channel